Shtimja për herë të parë po bëhet me fusha të tenisit

Komuna e Shtimes për herë të parë do të bëhet me fusha të tenisit, një zhvillim i rëndësishëm për sportin dhe rininë e këtij qyteti.
Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, ka bërë të ditur se sot është nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërtimin e dy fushave moderne të tenisit.
Ky projekt, i cili kap vlerën prej 200 mijë eurosh, do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë, ndërsa synon të krijojë hapësira të reja për zhvillimin e sportit të tenisit në Shtime.
“Ky është një moment i veçantë dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse për herë të parë po hapim mundësi të reja për sportistët e rinj të tenisit. Është një investim unik që do t’i japë gjeneratave të reja hapësirën e merituar për zhvillim të talentit në sportin e bardhë,” ka deklaruar kryetari Aliu.
Ai ka theksuar se me këtë projekt po bëhet realitet ëndrra e shumë të rinjve dhe po hidhet një gurthemel i rëndësishëm për të ardhmen sportive të komunës.
Ndërtimi i këtyre fushave pritet të krijojë kushte për organizimin e garave lokale dhe rajonale, si dhe për afirmimin e talenteve të reja në sportin e tenisit./IndeksOnline/