Specialja merr vendim, 11 personave u ndalohen vizitat te Thaçi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për të vendosur kufizime në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, në çështjen kundër administrimit të drejtësisë.
Ndonëse prokuroria kërkoi që vizitat të ndaloheshin për tre vëllezërit e Thaçit, kërkesa u miratuar vetëm për 11 të tjerë. Pra, vizitat u ndaluan për Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar ngjashëm si i vëllezërve të Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake thekson se kufizimet e miratuara në këtë vendim kufizohen vetëm në vizitat jo të privilegjuara të z. Thaçi në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara nga: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, \[REDAKTUAR], \[REDAKTUAR], Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati, \[REDAKTUAR] dhe \[REDAKTUAR]. Këto kufizime do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit të këtij vendimi për z. Thaçi”, thuhet në vendim.
Vendimi ëhstë marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
Prokuroria kërkesën e vet e arsyeton me pretendime se këta persona kur kanë vizituar Thaçin më herët kanë folur me zë të ulët dhe i akuzuari iu ka dhënë udhëzime që t’i përcillnin tek dëshmitarët.
Ata kanë pretenduar se këta persona mund të ndalohen të vizitojnë Thaçin për arsye legjitime. Veç kësaj, edhe nëse iu ndalohet vizita tre vëllezërve të Thaçit, Prokuroria thotë se i akuzuari i ka edhe dy të tjerë që mund ta vizitojnë.
Mbrojtja e Thaçit e kryesuar nga Sophie Menegon kishte thënë se kufizimet e kërkuara janë të panevojshme dhe cenojnë të drejtat themelore të Thaçit për jetën private dhe familjen.
Veç kësaj, Prokuroria kishte kërkuar që të diskutohet gjatë vizitave për çështjen për krime lufte ose atë kundër administrimit të drejtësisë. Ndërsa, mbrojtja thotë se Thaçi nuk duhet të ndalohet të diskutojë ato që janë në domenin publik.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, konstatoi se kufizimet e kërkuara janë të nevojshme për të zbutur rrezikun e zbulimit të informacioneve konfidenciale lidhur me dëshmitarët e mbrojtur të Prokurorisë.
Gjyqtarja thotë se këto kufizime janë vetëm tek individët për të cilët ka tregues të besueshëm që kanë marrë pjesë në vizita të paprivilegjuara në të cilat Thaçi ka zbuluar informacione konfidenciale.
Për njërin nga personat- emri i të cilit është i redaktuar, gjyqtarja thotë se është emëruar konsulent në ekipin mbrojtës në çështjen për krime lufte në bazë të një letre konfidenciale që mbrojtësi i Thaçit ia ka drejtuar administratores.
Sipas vendimit, ky person, më 1 korrik 2023 ishte pjesë e një vizite tek Thaçi në të cilat ky i fundit së bashku me Behramin dhe Kastratin kishin folur lidhur me dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur. Sipas gjyqtares së procedurës paraprake, ky është një indikacion i besueshëm që personi në fjalë mund të përfshihet në sjellje të papranueshme për integritetin e procedurave.
“Duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat dhe faktorët e përmendur më sipër si një tërësi, Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konsideron të nevojshme të ndalohet [REDAKTUAR] nga mbajtja e vizitave jo të privilegjuara me z. Thaçi në praninë e palëve të treta”, thuhet në vendim.
Për tre vëllezërit e tij, Masselot thotë se më 12 gusht dhe 1 tetor, ata, Thaçi dhe persona të tjerë biseduan për dëshmitarë të mbrojtur dhe mënyrën se si duhet të dëshmojë një dëshmitar. Po ashtu, u tha se ata biseduan edhe për dëshminë e një dëshmitari viktimë në një seancë private.
Masselot thotë se kjo ofron indikacione të besueshme që tre vëllezërit e Thaçit kanë marrë pjesë në vizita në të cilat i akuzuari ka zbuluar informacione konfidenciale.
Megjithatë, Masselot thotë se në një mjedis paraburgimi është e drejtë thelbësore e të paraburgosurit për respektimin e jetës familjare që kontakti me të afërmit, duke përfshirë edhe vëllezërit e tij, të ruhet.
Gjyqtarja Masselot mori në konsideratë edhe parashtrimin e mbrojtjes që tre vëllezërit e Thaçit i japin mbështetje morale atij gjatë kësaj periudhe të ballafaqimit me drejtësinë. Andaj, Masselot në vendim tha se është e vetëdijshme për faktin se babai i Thaçit ka ndërruar jetë se fundmi dhe pranoi se në rrethana të tilla, ruajtja e kontaktit me anëtarët e familjes duke përfshirë edhe vëllezërit e tij, është thelbësore.
Si rrjedhojë, refuzoi kërkesën e Prokurorisë për të vendosur kufizime në vizitat e vëllezërve të Thaçit.
Ndërsa, për kërkesën për të vendosur kufizime lidhur me diskutimet për çështjen për krime lufte dhe atë kundër administrimit të drejtësisë, Masselot ka vendosur se një gjë e tillë nuk është e nevojshme.
“Në dritën e sa më sipër, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstaton se kufizimet e kërkuara mbi bisedat për çështjet e z. Thaçi, për aq sa ato kanë të bëjnë me informacionin publikisht të disponueshëm, nuk janë as të nevojshme dhe as proporcionale, dhe rrjedhimisht refuzohen”, thuhet në vendim i cili specifikon se këto kufizime duhet të rishikohen çdo tre muaj.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Ndërsa, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.