75 Mall Live Search
13:04 / E Mërkurë, 20 Gusht 2025 / H F

Bashkëshortja e Rexhës, Shqipe Selimi s’e votoi Donika Gërvallën për kryeparlamentare

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, njëherësh bashkëshortja e ish-deputetit Rexhep Selimi, nuk e ka votuar Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme konstituive, shkruan Indeksonline.

Gërvalla, e propozuar nga VV-ja si emri i dytë pas Albulena Haxhiut, mori vetëm 57 vota për, duke mos arritur shumicën e nevojshme për t’u zgjedhur. Mungesa e votës nga deputetja Selimi u vu në pah mes përbërjes së shumicës, duke shtuar spekulimet për pakënaqësi të brendshme brenda partisë.

Më herët gjatë seancës, edhe kandidatja Albulena Haxhiu kishte dështuar të zgjidhej, pavarësisht përpjekjes së parë të VV-së. Ajo mori po ashtu 57 vota pro, 56 kundër, ndërsa tre deputetët e Nismës abstenuan.

Kjo ishte përpjekja e radhës, pas më shumë se tri javësh bllokadë parlamentare, për ta konstituuar kuvendin, që prej mbledhjes së parë të mbajtur më 15 prill.

Seanca e radhës është thirrur për të premten, më 22 gusht, ndërsa mbetet e paqartë se me çfarë kandidature do të vijë Lëvizja Vetëvendosje dhe nëse do të arrijë të sigurojë konsensus të brendshëm.