75 Mall Live Search
22:34 / E Mërkurë, 20 Gusht 2025 / MSH

Si shkoi seanca e sotme konstituive? Kuvendi publikon raportin

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës sot kanë vijuar seancat për konstituim.

Rëndom si në seancat e kaluara, fillimisht u propozua emri i Albulena Haxhiut, për kryekuvendare.

Me dështimin e zgjedhjes së saj, LVV-ja propozoi emrin e Donika Gërvallës për këtë pozitë, shkruan IndeksOnline.

Por, as Gërvalla nuk mori votat e mjaftueshme për t’u bërë kryetare e legjislativit: 57 pro, 56 kundër, 3 abstenime.

Me këtë rast, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ftoi deputetët në seancën e radhës, që do të mbahet më 22 gusht.

Ky është raporti i publikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës:

Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në vazhdimin e radhës të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë, me dy pikat e mbetura: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve. 

Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga subjekti më i madh parlamentar, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. 

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje deputeti Glauk Konjufca propozoi për kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu. 

Nga 116 deputetë të pranishëm në sallë, për kandidaten e propozuar votuan 57 deputetë, 56 ishin kundër, ndërsa tre abstenuan.

Kryesuesi Dehari konstatoi se në bazë të rezultatit kandidatja e propozuar nuk ka marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit. Për rrjedhojë, ai kërkoi nga subjekti më i madh parlamentar serish një propozim për kryetar të Kuvendit. 

Deputeti Konjufca propozoi për kryetare të Kuvendit deputeten Donika Gërvalla Schwarz. Pas procesit të votimit kryesuesi i seancës konstatoi se me 57 vota për, 56 kundër dhe tri abstenime, kandidatja e propozuar nuk ka marrë votat e mjaftueshme për kryetare të Kuvendit.  

Në këto rrethana kryesuesi Dehari ndërpreu seancën për sot, duke paralajmëruar vazhdimin e saj të premten, më 22 gusht 2025, në orën 11:00.