75 Mall Live Search
09:05 / E Enjte, 21 Gusht 2025 / LB

Haliti: Pa koalicion Kurti s’mund t’i krijojë institucionet

Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, të mërkurën është mbajtur seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje nominoi Albulena Haxhiun, e cila sërish nuk mori votat e mjaftueshme, pastaj Glauk Konjufca nominoi Donika Gërvallën, e cila njësoj si Haxhiu, mori vetëm 57 vota.

Kështu, kryesuesi i kuvendit, Avni Dehari njoftoi për përfundimin e seancës, ku të rejën e caktoi për datën 22 gusht, në orën 11:00.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur lidhur me dështimin e votimit për kryetaren e kuvendit, ku kandidatet nga Lëvizja Vetëvendosje ishin Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla.

Ai tha se qëndrimi i PDK-së për të mos votuar ministra është politik dhe se jo të gjithë kanë qenë të dëmshëm në detyrat e tyre.

Haliti shtoi se emri i Donika Gërvallës është i papranueshëm për opozitën, duke e cilësuar si jo të suksesshme në detyrën e saj.

“Qëndrimi i PDK-së që nuk i voton ministrat është qëndrim politik, ata ministra që kanë qenë të korruptuar nuk duhet të votohen por ndoshta ndonjëri nuk ka qenë i keq si ministër nuk e ka shkelë ligjin. Emri i Donika Gërvallës në raport me opozitën është emër i papranueshëm se s’ka pas sukses në detyrën që e ka pas dhe ka qenë shumë grindavece me opozitën”, ka deklaruar Haliti për “Front Online”.

Ai tha se emrat e propozuar nga mazhoranca nuk mund të kalojnë pa marrëveshje me opozitën.

Haliti potencoi se nëse kreu i LVV-së, Albin Kurti, dëshiron të krijojë institucionet, duhet të bëjë koalicion.

“Nuk ka asnjë emër, secili emër që del në raport me opozitën në variantin ne po e propozojmë dhe ju votoni nuk kalon. Se partitë janë të ndara dhe janë duke luftuar me marrë qeverinë. Nëse Kurti mendon me i kriju institucionet gjatë këtyre ditëve duhet ta bëjë një koalicion nëse nuk e bënë, çështja shkon në Kushtetuese. Nuk është detyrë e opozitës me ia bërë numrat Kurtit”, është shprehur Haliti.