Buja paralajmëron padi ndaj çdokujt që shpif për të

Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka njoftuar se ndaj çdo personi që shpif ndaj tij, d të ndërmarrë masa ligjore.
Buja i PDK-së tha se shpifjet ndaj tij dhe të kaluarës së tij politike po bëhen përmes një fushate të orkestruar, shkruan IndeksOnline.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mos bien pre e këtyre grupeve të organizuara, të cilat i frikësohen kandidaturës sime sepse e dinë se me fitoren time do të vijë fundi i keqpërdorimeve me paranë publike dhe me funksionet shtetërore”, u shpreh Buja.
Ky është postimi i plotë i tij:
Duke ju falënderuar ngrohtësisht dhe përzemërsisht për përkrahjen e madhe që kam marrë gjithandej Kosovës dhe në veçanti në Lipjan pas shpalljes së kandidaturës sime për Kryetar të Komunës, më lejoni të ndaj me ju një realitet jo të këndshëm:
Fatkeqësisht, përmes një fushate të orkestruar dhe të organizuar, një numër i vogël individësh janë duke shpifur për mua, duke sulmuar personalitetin tim, të kaluarën time politike, madje edhe jetën time private. Opinionet e mia publike janë duke u keqinterpretuar e transmetuar pjesërisht, po nxirren jashtë kontekstit, vetëm e vetëm për të tentuar të më dëmtojnë në këtë garë politike.
Dua ta bëj të qartë: ndaj çdo shpifësi dhe ndaj çdo përpjekjeje për njollosje do të ndërmerren masa ligjore, përmes padive personale dhe në bashkëpunim me organet kompetente gjyqësore dhe policore.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mos bien pre e këtyre grupeve të organizuara, të cilat i frikësohen kandidaturës sime sepse e dinë se me fitoren time do të vijë fundi i keqpërdorimeve me paranë publike dhe me funksionet shtetërore.
Bashkë me ju, me përkrahjen tuaj, do të sigurojmë një Lipjan të ndershëm, të drejtë dhe të zhvilluar.
Fitorja është e jona!