Kolonat dhe pritjet në pikat kufitare, përditësohen të dhënat

Qendra për Menaxhimin e Kalimeve Kufitare njofton qytetarët dhe udhëtarët për fluksin aktual të automjeteve dhe kamionëve në pikat e kalimit kufitar.
Në shumicën e pikave kufitare, koha mesatare e pritjes për hyrje dhe dalje të automjeteve është midis 3 dhe 5 minutave, përveç rasteve të veçanta si në Merdarë, ku për daljen nga pika kufitare pritja varion nga 50 deri në 60 minuta. Ndërkaq, në Mutivodë, pritjet për dalje të automjeteve janë më të gjata, duke arritur deri në 100-120 minuta.
Sa i përket kolonave të automjeteve, në disa pika kufitare si Dheu i Bardhë dhe Merdarë janë regjistruar kolona deri në 300 metra në dalje, ndërsa në Mutivodë kolona e daljes arrin deri në 400 metra. Pikat e tjera raportojnë kolona më të shkurtëra ose mungesë të tyre.
Përsa i përket kamionëve, koha e pritjes mbetet përgjithësisht konstante, midis 3 dhe 5 minutave, dhe nuk janë raportuar kolona të gjata në asnjë nga pikat e kalimit kufitar.