Interneti më i shpejtë në botë: Si renditen Kosova dhe Shqipëria?

Emiratet e Bashkuara Arabe kryesojnë listën për shpejtësinë e internetit mobil, ndërsa për internetin fiks listës i prin Singapori.
Këto të dhëna dalin nga Indeksi Global i Speedtest, i cili përfshin renditjen e shpejtësisë së internetit për disa nga vendet në botë.
Sipas raportit, Emiratet e Bashkuara Arabe udhëheqin listën për internetin mobil me 584.97 Mbps, ndjekur nga Katari me 507.47 Mbps dhe Kuvajti me 413.57 Mbps.
Ndërsa për internetin fiks, Singapori kryeson me 386.96 Mbps, i ndjekur nga Kili me 332.41 Mbps dhe Hong Kongu me 324.97 Mbps.

Indeksi përfshin edhe të dhënat për internetin mobil më të shpejtë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë internet mobil me shpejtësi 161.53 Mbps, ndërsa Serbia prin për internetin fiks në rajon me 92.21 Mbps.
Nga ana tjetër, Bosnja e Hercegovina ka internetin më të ngadaltë, me 29.65 Mbps në celularë dhe 35.71 Mbps për internetin fiks.
Sa i përket Kosovës, thuhet se interneti mobil ka shpejtësi 97.43 Mbps (renditet në vendin e 45-të), ndërsa interneti fiks 82.24 Mbps (renditet në vendin e 82-të).

Shqipëria ka internet mobil me shpejtësi 104.11 Mbps (renditet në vendin e 41-të) dhe internet fiks 84.64 Mbps (renditet në vendin e 76-të).
