Tre të arrestuar për “Lëndim të rëndë trupor” në Vushtrri

Gjatë orëve të paradites së sotme, policia në Vushtrri ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale ,,Lëndim i rëndë trupor”. Arrestimi i tyre është realizuar pasi ishte pranuar njoftimi se tre persona ishin përfshirë në një përleshje mes tyre dhe dyshohet se ishin përdorur edhe mjete të forta dhe një mjet i mprehtë(thikë).
“Tre personat e dyshuar të përfshirë në përleshje kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor në emergjencën e QKMF-Vushtrri. Njëri nga të dyshuarit është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, e prej aty nën përcjelle policore është dërguar për tretman të mëtutjeshëm në QKUK dhe sipas raportit mjekësor ai kishte pësuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Njësitë policore kanë kryer ekzaminimin dhe shikimin e vendit të ngjarjes, janë intervistuar dy persona të dyshuar dhe dëshmitarët dhe është konfiskuar një thikë e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. Të gjitha veprimet hetimore i janë paraqitur prokurorit dhe me udhëzim të tij është iniciuar rasti penal ,,Lëndim i rëndë trupor”.
“Me urdhër të prokurorit dy të dyshuar lirohen në procedurë të rregullt ndërsa njërit prej tyre i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.