OEAK: Me heqjen e tarifave doganore për mallrat amerikane, hapet rruga për investime dhe tregti më të madhe me SHBA-në

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur forumin “Largimi i barrierave, ndikimi ekonomik i tarifave 0% për mallrat amerikane”, ku u theksua se vendimi i Qeverisë për eliminimin e tarifave doganore për produktet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të forcojë partneritetin ekonomik dhe do të nxisë investimet amerikane në Kosovë.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se vendimi i Qeverisë për eliminimin e tarifave doganore për produktet amerikane do të ketë ndikim të madh në tregti dhe investime.
“Për vendimin e marrë së fundmi nga Qeveria e Kosovës për eliminimin e tarifave doganore për produktet ose mallrat me origjinë nga SHBA. Nga gushti e tutje, të gjitha mallrat me origjinë nga SHBA, të cilat hyjnë në Kosovë, do të jenë të liruara nga detyrimet doganore. Vendimi hap rrugë edhe për shërbim më të madh tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi realisht do të shërbejë edhe në rritjen e investimeve të huaja, investimeve amerikane në Kosovë.”
E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Sot ne po festojmë vendimin e Kosovës për të eliminuar tarifat doganore për produktet amerikane. Ky është një vendim që pasqyron vizionin e përbashkët për më shumë tregti, investime dhe mirëqenie ndërmjet dy kombeve tona. Është me të vërtetë e mrekullueshme që, në një kohë kur shpesh ka kaq shumë mospajtime mbi politika, mbi vizionet e së ardhmes, mbi atë se ku duam të shkojmë dhe si duam të arrijmë atje, në Shtetet e Bashkuara dhe Kosovë ka shumë marrëveshje universale se shpresa më e mirë dhe më e sigurt për të ardhmen dhe mirëqenien e ardhshme është forcimi i marrëdhënies ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Dhe veprime të tilla si ky janë ato që do të na ndihmojnë ta bëjmë këtë. Dhe veprime të tilla si ky janë ato që do të na ndihmojnë të thellojmë dhe forcojmë kornizën e tregtisë dhe investimeve ndërmjet dy vendeve – disa nga gjërat që kjo qeveri ka bërë për ta bërë këtë të mundur. Pra, kjo është më shumë se një ndryshim politikash. Është një deklaratë e përkushtimit gjithnjë në rritje të Kosovës ndaj partneritetit të saj me Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu e përkushtimit të saj për krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe konsumatorët. Duke hequr këto tarifa doganore, Kosova ka rritur qasjen e saj në mallra amerikane të cilësisë së lartë dhe i ka bërë ato më të disponueshme për kosovarët dhe Kosovën. Dhe gjithashtu ka rritur mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare. Vendimi është një fitore e dyanshme për të dy vendet tona dhe do të forcojë marrëdhëniet tona tregtare dypalëshe, si dhe do të krijojë mundësi të reja për rritje ekonomike,” tha ajo.
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky vendim forcon partneritetin strategjik me SHBA-në dhe krijon kushte të favorshme për investime të reja.
“Qeveria e Kosovës e mori vendimin për heqjen e tarifave doganore për produktet nga SHBA, duke vendosur normën prej 0 për qind për të gjitha produktet që kanë origjinë nga SHBA. Produktet amerikane janë më se të mirëseardhura në Kosovë që nga ky muaj e tutje, pa tarifa, apo me 0 për qind tarifë. Ky vendim, konsideroj, që e forcon edhe më tej partneritetin strategjik që kemi me SHBA-në, duke hapur rrugën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve nga investitorë, qoftë amerikanë apo edhe të shteteve të tjera, marrë parasysh kur kemi një raport të tillë tregtar me sa më pak kufizime të ndërsjella dhe Kosova mund të shihet si destinacion për investimet e tyre. Ky vendim, përveç se thellimit të bashkëpunimit dhe testimit për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me SHBA-në, ka në vetvete edhe qëllimin për rritjen e vëllimit të këmbimit tregtar, shërbimeve teknologjike dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime të reja nga kompanitë amerikane në Kosovë,” tha ai.
Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, theksoi se Dogana tashmë ka nisur zbatimin e vendimit për 0% tarifa.
“Në planin tonë, një prej objektivave tona janë edhe lehtësirat, të cilat gjithmonë janë të plotëkuptimta kur kemi bashkëpunim me bizneset, dhe Oda Ekonomike Amerikane është gjithmonë një komunikim i tillë. Dogana e Kosovës, varësisht nga vendimi i Qeverisë, ka filluar me zbatimin e masës 0% taksë doganore për produktet me origjinë nga SHBA. Vendimi, në terma të politikës së tregtisë, është si qasje e sistemit autonom të preferencave. Nuk parasheh asnjë kufizim sa i përket llojeve apo industrisë së mallrave. Është e nevojshme të bëhet dëshmimi me dokument zyrtar përkatës, dhe vendimi që e ka bërë Qeveria këtë pjesë e ka lënë që, varësisht rregullimeve dhe fleksibilitetit të dy vendeve – qysh e kanë të paraparë rregullimin ligjor, te ne do të pranohen të gjitha dëshmitë,” tha ai,