FBI-ja po heton sulmin në shkollën e Minneapolisit

Të shtënat me armë në një shkollë në Minneapolis, që lanë dy fëmijë të vdekur dhe 17 të tjerë të plagosur, po hetohen si një krim urrejtjeje antikatolike nga FBI-ja.
“FBI-ja po i heton këto të shtëna si një akt terrorizmi të brendshëm dhe krim urrejtjeje që synon katolikët”, tha drejtori i FBI-së, Kash Patel, në një postim në X.
Dy fëmijët, të moshës tetë dhe 10 vjeç, u vranë kur një sulmues hapi zjarr përmes dritareve të Kishës së Ungjillëzimit të qytetit, të mërkurën në mëngjes, ndërsa fëmijët po kremtonin meshën.
Sulmuesi, i cili vdiq në vendngjarje nga një plagë me armë zjarri e shkaktuar vet, u identifikua më vonë nga policia si 23-vjeçari Robin Westman, shkruan BBC-i.
Papa Leo XIV, papa i parë amerikan, ishte midis atyre që i bënë homazhe viktimave të reja, duke thënë se ishte “thellësisht i trishtuar” nga sulmi.
Shefi i policisë Brian O’Hara u tha gazetarëve: “Ky ishte një akt i qëllimshëm dhune kundër fëmijëve të pafajshëm dhe njerëzve të tjerë që adhuronin”.
“Mizoria dhe frikacakëria e të shtënave me armë në një kishë plot me fëmijë është absolutisht e pakuptueshme”, tha ai.
I pyetur për komentin e Patel-it, ai tha se Departamenti i Policisë së Minneapolis po udhëheq hetimin me mbështetjen e agjencive federale dhe do të ndjekë provat kudo që të çojnë ato.
Autoritetet nuk kanë publikuar ende një motiv të dyshuar për sulmin.