Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike do të mbahet javën e ardhshme, fushata zgjedhore nis më 13 shtator

Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit pritet të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka konfirmuar se ky proces do të mbahet më 3 ose 4 shtator 2025, sipas planifikimit të institucionit.
“Sipas planit të KQZ-së, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale do të bëhet më 3 ose 4 shtator 2025”, ka deklaruar Elezi për Gazeta Express-in, duke theksuar se data dhe ora e saktë do të bëhen të ditura me kohë.
Ai ka nënvizuar se ky aktivitet do të zhvillohet në mënyrë tërësisht transparente dhe në praninë e përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet.
“Ky aktivitet do të zhvillohet në transparencë të plotë, si dhe në praninë e përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje,” ka shtuar ai.
Elezi ka bërë të ditur edhe datën e fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale.
“Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale do të fillojë më 13 shtator dhe do të përfundojë më 12 tetor, në orën 06:59”, ka theksuar ai.
Ky është një nga hapat përgatitorë drejt organizimit të zgjedhjeve të 12 tetorit, ndërsa KQZ-ja ka deklaruar përkushtimin e saj për një proces të drejtë, të rregullt dhe transparent.