Policia jep detaje për operacionin në veri, Elshani: S’ka të arrestuar, bastisja po vazhdon

Policia e Kosovës me asistencë dhe të Doganës, kanë zhvilluar sot një aksion në një lokal në zonën e Leposaviçit.
Gjatë këtij aksioni janë gjetur armë dhe bluza të mbushura me simbole nacionaliste serbe në veri.

Zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut Veton Elshani ka thënë për Indeksonlinen, se deri tani nuk ka të arrestuar dhe se operacioni është duke vazhduar.
“Rreth orës 12 jemi njoftu nga Njësitet e policisë kufitare se në një lokal në zonën e Leposaviçit shiten pije, logo, bluza, elektroshokë etj. Lidhur me rastin Njësiti i hetimeve rajonale ka dalë në vendin e ngjarjes, aty ka asistu edhe Dogana, ndërsa për shkak të mbishkrimeve dhe gjërave të tjera që janë gjetur aty është njoftuar edhe Prokuroria Speciale. Deri tani nuk kemi persona të arrestuar dhe bastisja ende është në vazhdim. Pas përfundimit të saj dhe intervistimeve të nevojshme, në bashkëpunim me prokurorin e rastit do të dimë se si të veprojmë më tej”, ka thënë Elshani.
