Dogana e Kosovës zbulon një substancë narkotike në një dërgesë postare

Në Qendrën Doganore të Postës, gjatë kryerjes së kontrollit rutinë të dërgesave postare me prejardhje nga jashtë vendit, u zbulua dhe konfiskua një sasi e konsiderueshme substancë narkotike.
Gjatë inspektimit të një pakoje të dyshimtë, zyrtarët doganorë hasën në dy qese plastike të mbushura me një substancë të blertë, e cila dyshohej të ishte kanabis. Pesha neto e substancës ishte afërsisht 1 kilogram.
Sipas Doganës, në vijim të protokoleve standarde, rasti u raportua menjëherë tek autoritetet e sigurisë. Në vend është ftuar Njësia antidrogë e Policisë së Kosovës, e cila, pas verifikimit paraprak, konfirmoi se substanca në fjalë është narkotik i llojit marihuanë.
I gjithë rasti, së bashku me provat materiale, i është dorëzuar zyrtarisht Policisë së Kosovës për procedimet e mëtejshme penale.
“Dogana e Kosovës e thekson përsëri angazhimin e saj të palodhur për të mbrojtur sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve duke parandaluar hyrjen e paligjshme të substancave të ndaluara në territorin e Republikës së Kosovës. Kjo është një tregues i qartë i efektivitetit të kontrollit doganor dhe i bashkëpunimit të ngushtë dhe efektiv me të gjitha institucionet e sigurisë në vend”, deklaron Dogana.
