09:06 / E Enjte, 08 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Vetëvendosje e palëkundur për demarkacionin

Kryesia e Kuvendit as të hënën nuk vendosi se kur do të dërgohet për votim demarkacioni në Kuvendin e Kosovës. Arsyeja doli të jetë mungesa e konsensusit ndërmjet partive politike për këtë temë.

Mirëpo, kjo situatë nuk ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të ndryshojë mendim.

Deputetët e kësaj partie vazhdojnë të jenë kundër votimit të kësaj marrëveshje.

Deputetja e VV-së, Drita Millaku, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se qëndrimi i tyre vazhdon të jetë si ka qenë në fillim.

Sipas saj, raporti i sjellë për demarkacion nuk ka qenë i mjaftueshëm që këta deputetët të ndërrojnë mendje.

“Sa i përket marrëveshjes së demarkacionit na e kemi dhënë qëndrimin tonë si Vetëvendosje disa herë. Qëndrimi është unanim i të gjithëve pa përjashtim dhe nuk lëvizim nga ky qëndrim që e kemi dhënë qysh në fillim. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket kësaj çështje brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Në çfarë forme tjetër mundemi me vepruar, mbetet me u pa, mirëpo me këtë raport që na e kanë sjellë, nuk kemi lëvizur nga qëndrimi i mëhershëm”, ka thënë Millaku.

Demarkacioni vazhdon të jetë kusht për liberalizimin e vizave.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ditë më parë ka thënë se nëse demarkacioni kalon gjatë muajit shkurt, atëherë Kosova do të pajiset me viza gjatë verës së këtij viti./Indeksonline/