Rama: Objektivi i mandatit të katërt të mbyllim negociatat me BE-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh sot se qeveria e re do të jetë një përzgjedhje që do të reflektojë qoftë vullnetin e 11 majit, qoftë edhe ambicien që mazhoranca të sillet me arritjet si opozitë.
Rama tha se objektivi i këtij mandati është që Shqipëria të mbyllë negociatat me Bashkimin Evropian.
Gjithashtu kryeministri theksoi se vijimi i punës për negociatat do të ketë një nga angazhimet më të mëdha të qeverisë.
“Objektivi im kryesor është që ti, bashkë me të gjithë këta të jesh te oborri i Komisionit Europian nën flamurin kombëtar edhe të bëjmë intervistë. Dhe pastaj do ta lë ty stafetën. Unë e shoh që ne fund të ditës partia jote ngado që të rrotullohet do të vijë tek ti”, tha Rama duke iu drejtuar moderatorit intervistuesit.
“Ky është objektivi i këtij mandati, të mbyllim negociatat me BE”, theksoi Rama.
Në lidhje me emrat në qeverinë e re, Rama tha se, “ne kemi një mandat unik, në aspektin që jemi e para forcë politike që ka 12 vjet eksperiencë qeverisëse të pandërprerë. Ky është një aset shumë i madh për ta përdorur, sepse eksperienca e 12 vjetëve është e jashtëzakonshme. Ka një libër të famshëm Malcolm Gladwell që thotë: “Kush nuk i ka bërë 10 mijë orë punë në atë që bën, nuk e bën dot punën mirë”. Dhe kemi njerëz me shumë eksperiencë. Kemi njerëz të tjerë që kanë më pak eksperiencë, por që mund të sjellin më shumë. Në fund të ditës, qeveria do të jetë një përzgjedhje që do të reflektojë qoftë vullnetin e 11 majit, qoftë edhe ambicien time që ne të sillemi me arritjet si opozitë”.
I pyetur nëse do të ketë surpriza, Rama tha se, “do të jetë qeveri e re, besoj, që jo çdo ministër apo ministre e ka parë veten në këto thashetheme, se ka ndonjë që nuk është përfolur fare që të jetë aty”.