Foda pas ndeshjes me Zvicrën: Pjesa e parë nuk ishte fytyra e vërtetë e Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës nisi mbrëmë rrugëtimin kualifikues për në Kampionatin Botëror 2026.
Mirëpo “Dardanët”, ishin të pafat pasi që u mposhtën nga Zvicra me rezultat të thellë 4-0 në St.Jakob’s Park të Bazelit.
Ndeshja e djeshme u vulos që në pjesën e parë me Zvicrën që shënoi të gjitha golat aty.
Pas ndeshjes trajneri Franco Foda, ishte në konferencën për shtyp duke thënë se pjesa e parë nuk ishte fytyra e vërtetë e Kosovës.
“Në pjesën e parë s’kemi luajtur mirë, kjo është e saktë. Kemi bërë shumë gabime. Golat i kemi pranuar shumë lehtë. Por, në pjesën e dytë kemi luajtur më mirë. Kemi bërë tri ndryshime në pauzë mes pjesëlojëve dhe ishim më stabil. Duhet të them se Zvicra në pjesë e parë luajti shumë, shumë mirë. Ne nuk kishim topa të dytë. Luajtëm shumë ngadalë. Kështu ishte në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishte shumë më mirë”, ka theksuar Foda në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Fokusi i Fodas tashmë është te ndeshja e radhës ndaj Suedisë, të cilët do të tentojnë të rikuperohen në kohë.
“Ju kam thënë lojtarëve se në pjesën e parë nuk e kanë treguar fytyrën e vërtetë. Kemi humbur shumë lehtë topin. Kundërshtarëve u kemi lejuar të shënojnë gola shumë lehtësisht. Në pjesën e dytë ishte shumë shumë më mirë. Në mbrojtje ishim shumë më stabil. Duhet të harrojmë këtë ndeshje. Do të rigjenerohemi. Duhet të përgatitemi për Suedinë. Duhet të bëjmë shumë gjëra më mirë. Por, këtë e kemi treguar. Kemi qenë nëntë ndeshje pa humbje. Edhe kundër Islandës e kemi treguar se mund të luajmë mirë”, ka shtuar trajneri gjerman.
Kosova, kujtojmë se do ta pres në “Fadil Vokrri”, Suedinë me ndeshjen që do të zhvillohet të hënën në orën 20:45./IndeksOnline/