Londër: Mbahen protesta pro dhe kundër emigrantëve

Mbi 110 mijë persona u mblodhën për të protestuar këtë të shtunë në Londër , Kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar kundër emigrantëve në një marshim të organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson.
Demonstruesit u grumbulluan në Whitehall, ku dëgjuan një sërë fjalimesh nga figura të njohura, përfshirë edhe ish-këshilltarin e Donald Trump, Steve Bannon.
Paralelisht me këtë protestë u zhvillua një tjetër kundër-demonstratë me mbi 5 mijë qytetarë të cilët folën kundër racizmit dhe u mblodhën nën frazën “Marshoni kundër fashizmit”.
Policia Metropolitane raportoi se situata ka qenë e tensionuar, duke folur për “agresion të konsiderueshëm” dhe sulme ndaj efektivëve, të cilët u goditën me shishe qelqi, shufra metali e kanaçe birre nga pjesëmarrës të marshimit të Robinson.
Për të ruajtur rendin, në terren ishin dislokuar mbi një mijë oficerë, mes tyre edhe 500 të ardhur nga forcat e tjera të vendit, ndërsa barriera të shumta ndanë dy grupet protestuese.
Pasditen e sotme, afër Trafalgar Square, tensionet u përshkallëzuan kur disa nga mbështetësit e Robinson tentuan të çajnë kordonët e policisë. Pamjet treguan oficerë që përdorën kuaj, shkopinj gome dhe njësi shtesë për të ndalur përplasjet, ndërsa disa policë u sulmuan drejtpërdrejt teksa mbronin zonën e sigurisë.
Nga podiumi në Whitehall, Tommy Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, akuzoi politikanët britanikë për “përsëritje të ideve të tij” dhe sulmoi vendimet e gjykatave lidhur me strehimin e azilkërkuesve.
Policia Metropolitane, e cila kishte paralajmëruar më herët se nuk do të përdorte teknologjinë e njohjes biometrike të fytyrës gjatë këtij operacioni, theksoi se pati veprime me vendosshmëri kundër çdo kujt që veproi jo vetëm si protestues por tejkaloi këtë rol duke I kthyer demonstratat në kryerjen e krimeve të urrejtjes.