Bashkëluftëtari i Adem Jasharit flet për akuzat e Bekimit për Lushtakun, ja çfarë thotë
Kryetari i Skenderajit, Bekim Jashari, ditë më parë ka shpërthyer në akuza ndaj ish-kryetarit Sami Lushtakut, pasi që asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës po e bojkotojnë punën e Kuvendit Komunal të Skenderajt.
Veç kritikave për qeverisjen e kaluar, djali i Hamzë Jasharit, Bekimi, akuzoi Sami Lushtakun edhe për sabotim gjatë luftës së fundit.
Por, a po vazhdojnë edhe me tej prishja e raporteve mes PDK-së e familjes Jashari, prishje kjo që ishte nisur nga koha e Thaçit si kryetar i partisë?
Lidhur me këtë çështje “Bota sot” ka marrë në prononcim anëtarin e PDK-së dhe ish-bashkëluftëtarin e komandantit legjendar, Adem Jashari.
Ish-eprori i lartë i UÇK-së, Jetullah Geci, njëherit edhe asambleist i Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj thotë se marrëdhëniet mes familjes Jashari dhe PDK-së nuk do të prishën.
Geci thotë se ngjarjet e fundit janë vetëm janë procese komunale të cilat zhvillohen dhe nuk ka diçka më shumë.
“Jo, absolutisht, marrëdhëniet mes familjes Jashari dhe Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të prishën. Këto çka po ndodhin janë procese komunale të cilat zhvillohen dhe nuk ka diçka që mundet me ndikua te marrëdhëniet tona”, është shprehur Geci.
Jetullah Geci i njohur si një ish-komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”, po ashtu thotë se përveç PDK-së janë edhe partitë e tjera që po e sabotojnë punën e Kuvendit Komunal të Skenderajt, dhe, sipas tij, këto janë procese të cilat zhvillohen në çdo Kuvend.
“Nuk ka asgjë, Bekim Jashari është kryetar i pavarur, ndërsa përveç PDK-së, janë edhe partitë e tjera, kështu që nuk është vetëm një parti. Këto marrëdhënie do të rregullohen në ditën në vazhdim, ka diçka që nuk pajtohen në ndonjë seancë, por do të rregullohen”, ka përfunduar ish-eprori i lartë i UÇK-së, Jetullah Geci.