75 Mall Live Search
10:27 / E Martë, 23 Shtator 2025 / b l

Manaj gati ta blejë klubin shqiptar të futbollit

Mbrëmjen e kaluar, në emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel, u bë e ditur se një futbollist i Kombëtares shqiptare është pranë një marrëveshjeje për të blerë klubin e Lushnjës në Shqipëri.

Bëhet fjalë për Rey Manajn, i cili ka nisur tratativat për të marrë në pronësi skuadrën nga qyteti i tij i origjinës. “Moda e futbollistëve të suksesshëm që blejnë klube ka mbërritur edhe në Shqipëri. Rey Manaj po bën një hap të madh duke investuar te Lushnja. Ky është një model që na duhet për të ecur përpara”, tha moderatori i emisionit.

Edhe të ftuarit në studio pranuan se sulmuesi i Kombëtares është kandidati më i mundshëm për këtë blerje, duke marrë parasysh lidhjet e tij me Lushnjën.

Ky hap e vendos Manajn në të njëjtën linjë me emra të njohur të futbollit botëror që kanë zgjedhur të investojnë në klube. Shembujt më të spikatur janë David Beckham, i cili zotëron Inter Miamin në SHBA, dhe Ronaldo “Fenomeni”, që prej disa vitesh është pronar i Real Valladolidit në Spanjë.