Rashiq: Duhen konsultime për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit, me përfshirjen edhe të Listës Serbe

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, thotë se integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës është një proces që do të duhet të ndodhë, por që duhet të zhvillohet përmes konsultimeve dhe harmonizimit të qëndrimeve, në mënyrë që të mos ketë pasoja të dhimbshme për komunitetin serb.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë, po ashtu, se në këtë proces do të ftohet edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila tashmë është prononcuar kundër integrimit të sektorit të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin kosovar.
“Ata do të ftohen, nëse unë jam pjesë e procesit, e me siguri do të jem, dhe nëse refuzojnë bashkëpunimin, përgjegjësia është e tyre”, thotë Rashiq.
Sipas tij, “një formë Asociacioni” është e rëndësishme të ekzistojë, sepse do t’u ofronte serbëve një garanci fillestare se integrimi nuk do t’i linte pa punë e pa siguri, duke siguruar kështu stabilitetin e nevojshëm
Duke folur për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në prag të skadimit të masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, Rashiq thotë: “Sinqerisht, nuk do të doja të kandidoja për nënkryetar”.