75 Mall Live Search
13:43 / E Martë, 23 Shtator 2025 / Z S

Trafikoi kanabis drejt BE-së me një grup kriminal, arrestohet 52-vjeçari në Rinas

Një 52-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga efektivët e Policisë Kufitare në Aeroportin e Rinasit.

Policia sqaron se mbi Robert Myftarin rëndojnë disa akuza, si trafiku i lëndëve narkotike apo përfshirja në grup të strukturuar kriminal.

“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në hyrje bënë kapjen dhe ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim ndërkombëtar R. M., 52 vjeç, banues në Vlorë. Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.63, të datës 22.06.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal’”, njofton policia.

Myftari është hetuar në kuadër të një procedimi penal nga SPAK ku nga hetimet ka rezultuar si i përfshirë në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë, në trafikimin e sasive të konsiderueshme të kanabisit nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, në periudhën 2016-2018.