75 Mall Live Search
15:10 / E Mërkurë, 24 Shtator 2025 / SH

Operacioni “Qielli i Thyer”, arrestohen shtatë persona (Pamje)

Në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëhejqen e  Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mërkurën është zhvilluar një operacion policor në regjionet e Prishtinës dhe Pejës.

Ky aksion, i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, është realizuar në 25 lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.

Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.

Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë:

  • 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë;
  • Një ( 1 ) peshore për matjen e lëndëve narkotike;
  • 11,065 euro para të gatshme;
  • 34 automjete;
  • Shtatë (7) armë zjarri;
  • Dokumente personale me identitet të rremë;
  • Pajisje elektronike;
  • Dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.

Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.