Prokuroria ngre aktakuzë ndaj dy personave për nxitje urrejtjeje dhe përkrahje të ISIS-it

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, D.B. dhe E.B., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës, D.B. dhe E.B. akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme fetare dhe duke përkrahur veprimet e organizatës terroriste ISIS.
Hetimet tregojnë se të pandehurit përmes rrjeteve sociale Facebook dhe TikTok kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse dhe thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad. Po ashtu, dyshohet se ata kanë vendosur flamuj të ISIS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre dhe kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë, veprime që mund të rrezikonin prishjen e rendit publik.
Sipas provave, D.B. ka qenë refuzues ndaj personave që nuk e praktikojnë fenë sipas mënyrës së tij dhe ka postuar e shpërndarë materiale me gjuhë fyese kundër shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Prokuroria Speciale ka propozuar që Gjykata Themelore në Prishtinë t’i shpallë fajtorë të pandehurit sipas ligjeve në fuqi, si dhe të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj D.B. dhe ajo e arrestit shtëpiak ndaj E.B.