75 Mall Live Search
11:07 / E Diele, 28 Shtator 2025 / Gj Sh

​Kosova po humb ngjarje të mëdha sportive për shkak të mungesës së infrastrukturës

Sporti në Kosovë vazhdon të përballet me pengesa serioze në organizimin e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare, kryesisht për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme.

Përfaqësues nga disa federata sportive theksuan se vendi nuk i plotëson kushtet bazike për të pritur gara të nivelit evropian e botëror.

Ata theksuan se ndonëse Kosova ka arritur suksese të mëdha në sporte të ndryshme dhe federatat janë të gatshme të marrin përgjegjësi organizative, mungesa e kushteve të përshtatshme ka bërë që shumë mundësi të humben.

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kua, thotë për KosovaPress, se Kosova nuk e ka infrastrukturën e nevojshme për organizimin e ngjarjeve elitare sportive.

Kuka: S’kemi infrastrukturën e duhur për të organizuar ngjarje elitare sportive

“Sa i përket organizimit të garave të nivelit të lartë, nga Kupat Evropiane, Kampionat Evropiane, e Botërore të grupmoshave të ndryshme, unë me përgjegjësi mund të them se në Kosovë sa i përket sportit të xhudos, për sportet tjera nuk mund të flas, infrastruktura mungon. Maksimumi që mundemi ne të organizojmë si sport i xhudos në Kosovë janë Kampionatet Ballkanike, apo eventualisht ndonjë kupë të grupmoshave të reja të nivelit evropian. Përndryshe, Kampionat Evropian të çfarëdo grupmoshe në Kosovë mungon infrastruktura”, thotë Kuka.

Edhe i pari i Federatës së Pingpongut, Jeton Oruqi thekson infrastruktura është elementi bazik që një federatë të aplikojë për të marrë përsipër organizmin e kampionateve evropiane e botërore.

Oruqi: Kushtet dhe infrastruktura janë elemente kyçe për marrjen e organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare

“Për të gjitha sportet dhe disiplinat sportive kushtet dhe infrastruktura janë elemente kyçe për marrjen përsipër të organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare, njësoj është edhe për Federatën e Pingpongut. Duke filluar nga hapësira, ndriçimi, dyshemeja dhe aspektet tjera përcjellëse të infrastrukturës rrugore, sigurisë që ofrohet për pjesëmarrës e deri te hoteleria dhe ushqimi, të gjitha këto duhet të arrijnë në një nivel të caktuar që e kërkon edhe Federata Botërore e Pingpongut, e në këtë drejtim nuk është aspak e lehtë…Në këtë vit kur i kemi organizuar garat në Pallatin e Rinisë, kemi pasur mjaftë vështirësi por me një angazhim të madh të federatës, kemi arritur t’i organizojmë në mënyrë të suksesshme”, deklaron Oruqi.

Ndërsa, sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli, thotë për KosovaPress, se ka pasur raste kur kësaj federata i janë ofruar ngjarje të mëdha sportive, por kanë hezituar t’i marrin për shkak të mungesës së palestrave sportive.

Demolli: Ne si federatë jemi gati për ngjarje të mëdha sportive, por nuk kemi palestra

“Infrastruktura në sport është shumë me rëndësi, është numër një, jo vetëm në boks por në të gjitha sportet për arsye se ne si Kosovë, më vjen keq që nuk kemi infrastrukturë të zhvilluar si shtete në rajon e mos të flasim për shtetet evropiane. Një qytet, ose kryeqytet si Prishtina ne i kemi dy palestra Pallatin e Rinisë dhe palestrën 1 tetori…Në përgjithësi jemi larg me infrastrukturë e cila nevojitet për sportin e Kosovës. Mua në kongrese evropiane e botërore jo që kemi kërkuar ngjarje ndërkombëtare por ndoshta edhe më është ofruar, ne e meritojmë pasi që kemi punuar për boks për shumë vite dhe nëse keni dëshira do t’ua jap një ngjarje të madhe, sidomos ballkanike pa problem apo Lojëra Mesdhetare dhe Kampionate Evropiane U15, U17, U19 pa problem i marrim por nuk kemi mundur deri më tani për arsye se jemi ngushtë shumë me palestra”, thekson Demolli.

Sekretari i Federatës së Hendbollit, Muhamet Arifi, thotë se Federatat Ndërkombëtare po e humbin besimin te Kosova pikërisht për shkak se nuk po shohin zhvillim te infrastrukturës sportive.

Arifi: Federatat Ndërkombëtare e humbin besimin te vendi ynë për shkak të mungesës së infrastrukturës

“Infrastruktura është një faktor kyç për zhvillimin e aktiviteteve ndërkombëtare duke e ditur se me infrastrukturë të zhvilluar tërheq shumë edhe aktivitete ndërkombëtare ndërsa e kundërta që mund të themi se me mungesën e infrastrukturës shkaktohen probleme të mëdha në besimin edhe nga federatat ndërkombëtare. Një infrastrukturë e mirëfilltë shton besimin e organizatave ndërkombëtare për dhënien e eventeve të ndryshme ndërkombëtare siç janë ato evropiane por edhe botërore për të cilat ne si federatë po hasim vazhdimisht në probleme të njëjta…Është e pamundur që të merren organizime të nivelit të kampionatit A që janë në kuadër të Federatës Internacionale pasi që kërkohen kushte të rrepta infrastrukturore të palestrave e po ashtu edhe kushtet e hotelerisë të cilat për momentin në Kosovë nuk i plotësojnë kushtet”, deklason Arifi.

Por jo vetëm infrastruktura sportive, Kuka thotë se në Kosovë mungojnë edhe kapacitetet hotelerike për akomodim të sportistëve.

Kuka: Na mungon edhe infrastruktura e akomodimit

“Përveç që na mungon infrastruktura sportive, na mungon edhe e akomodimit. Për një Kampionat Evropian duhet t’i sigurojmë minimumi një mijë dhoma, do të thotë është problem edhe në Prishtinë si kryeqytet që ka numrin më të madh të hoteleve është problem t’i rezervojmë njëmijë dhoma për organizimin e ndonjë ngjarje të tille”, bën të ditur Kuka.

Ndryshe, dy vite më parë, Qeveria e Kosovës ka zotuar 250 milionë euro për ndërtim të infrastrukturës së re sportive në vend, e cila do të shërbejë për organizimin e Lojërave Mesdhetare, që do të zhvillohen në Kosovë në vitin 2030.