75 Mall Live Search
10:17 / E Enjte, 02 Tetor 2025 / P M

Hadërgjonaj: Moskonstituimi i kuvendit rrezikon buxhetin dhe projektet zhvillimore

Safete Hadërgjonaj, ish deputete dhe ish-anëtare e Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa për disa vjet, ka paralajmëruar se vonesat në konstituimin e Kuvendit të Kosovës rrezikojnë buxhetin e vitit 2026 dhe një numër të madh projektesh zhvillimore.

Në një intervistë për Indeksonline, Hadërgjonaj theksoi se buxheti duhet të dorëzohet në kuvend deri më 31 tetor 2025, ndërsa nga 1 nëntori nis puna e komisioneve parlamentare për shqyrtimin, plotësimin dhe ndryshimin e tij.

Pas shqyrtimit në Komisionin për buxhet, punë dhe transfere, projektbuxheti duhet të dërgohet në kuvend për miratim.

“Kuvendi është i obliguar ta miratojë buxhetin e vitit 2026 para datës 31 dhjetor 2025. Në të kundërtën, të gjitha ndarjet buxhetore për vitin fiskal skadojnë më 31 dhjetor dhe nga 1 janari vendi mbetet pa buxhet të miratuar”, tha ajo.

Sipas saj, pasojat e mosmiratimit të buxhetit do të ishin të mëdha për ekonominë dhe qytetarët, duke ndikuar direkt në funksionimin e institucioneve, bizneset dhe jetën e përditshme.

“Pasojat e mbajtjes peng të qeverisë dhe mosfunksionimit të kuvendit veçse kanë filluar të ndihen. Biznesi është në krizë dhe qytetarët çdo ditë po varfërohen”, shtoi Hadergjonaj.

Ajo tha se Ligji për menaxhimin e financave publike parashikon vetëm zgjatje të përkohshme të ndarjeve buxhetore në rast të zgjedhjeve apo vonesave, por jo më shumë se tre muaj.

Pas skadimit të këtij afati, asnjë institucion nuk ka të drejtë të kryejë shpenzime, përveç pagesës së borxhit publik të ligjshëm.

“Nëse vendi mbetet pa buxhet, punëtorët e administratës publike do të mbeten pa paga dhe projektet zhvillimore do të ndalen. Një gjë e tillë do të ishte fatale dhe nuk do të doja të ndodhte kurrë në shtetin tim”, tha Hadërgjonaj. /Indeksonlie/