75 Mall Live Search
14:50 / E Hënë, 29 Shtator 2025 / Z S

Bislimi dhe ambasadori i ri slloven flasin për dialogun dhe integrimin evropian të Kosovës

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, të hënën ka mirëpritur në takim ambasadorin e ri të Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, të cilin e ka uruar për pozicionin e ri.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, Bislimi e ka informuar ambasadorin Blaj mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të nivelit të kryenegociatorëve, i zhvilluar më herët gjatë muajit në Bruksel.

Sipas Bislimit, gjatë takimit është evidentuar sërish destruktiviteti i Serbisë në proces, përfshirë tërheqjen e saj nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit, si dhe bllokimin e formimit të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur me dhunë.

Po ashtu, në takim është diskutuar edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“Zëvendëskryeministri e falënderoi shtetin e Sllovenisë për partneritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në këtë rrugëtim, gjersa shprehu se vendi ynë vazhdon të ketë objektiv kryesor dhe të synojë marrjen e statusit të vendit kandidat”, thuhet në njoftim.