Lumir Abdixhiku nga Dragashi: Besimi juaj nuk është tradhtuar, doktori edhe katër

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim emocionues në Dragash, ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë katër vite më parë dhe ka shprehur vendosmërinë për të vazhduar rrugëtimin me të njëjtin ritëm të punës dhe rezultateve konkrete.
“Edhe Dragashi flakë! Edhe Dragashi zjarrtë!”, fillon Abdixhiku postimin e tij në rrjete sociale, duke iu referuar atmosferës mbresëlënëse të takimit me qytetarët. Ai ka rikujtuar fitoren e katër viteve më parë, kur qytetarët e Dragashit vendosën t’i besojnë LDK-së dhe kandidatit të tyre, doktor Bexhet Xheladini.
“Sot, teksa shikojmë katër vite më pas, jam i bindur më shumë se kurrë se ne nuk e zhgënjyem këtë besim të marrë. Sepse çdo premtim që e bëmë, e kthyem në punë. Çdo projekt që e nisëm, e çuam përpara”, thekson Abdixhiku.
Ai u shpreh se gjatë mandatit të kaluar janë realizuar projekte të prekshme për qytetarët, të cilat tashmë janë pjesë e përditshmërisë së tyre. Në fund, Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë mbështetjen për “doktorin”, duke e përkrahur edhe për një mandat të dytë.
“Vijmë dhe me thirrje për të vazhduar një rrugëtim impresiv; me duar të pastra, pa afera korruptive, e me projekte kapitale që kjo komunë nuk i ka parë asnjëherë më parë. Doktori edhe katër!”, përfundon ai./IndeksOnline/