Putini nënshkruan tërheqjen e Rusisë nga Konventa Evropiane për parandalimin e tortures

Vladimir Putin ka nënshkruar ligjin mbi tërheqjen e Rusisë nga Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor dhe Poshtërues.
Në një njoftim nga Shërbimi Diplomatik i Bashkimit Evropian thuhet se vendimi formal është një hap tjetër në shkëputjen e plotë të Rusisë nga angazhimet e saj ndërkombëtare dhe tregon qartë shpërfilljen e Rusisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Nuk ka lejuar asnjë vizitë monitoruese në vendet e privimit nga liria. Viktimat kryesore të vendimit janë dhe do të jenë shtetas rusë. Sipas Raportuesit Special të OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në Federatën Ruse, “tortura dhe trajtimet ose ndëshkimet e tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese përdoren si mjete të sanksionuara nga shteti për shtypje sistemike në Federatën Ruse”” thuhet në njoftimin e EEAS-it.
Praktika të tilla janë gjithashtu të dukshme në pushtimin e paligjshëm në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, ku përdorimi i përhapur dhe sistematik i torturës është i dokumentuar mirë.
BE-ja bën thirrje për përgjegjësi për të gjitha krimet ndërkombëtare dhe shkeljet e abuzimet e të drejtave të njeriut që rrjedhin nga lufta e agresionit të Rusisë. Federata Ruse është e detyruar të zbatojë të drejtën ndërkombëtare.