“I kam tre nipa, por nuk i lëshoj”: Në Luginë të Preshevës kthehet frika e ushtrisë

Frika nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak po rikthehet në Luginën e Preshevës. Për komunitetin shqiptar, paralajmërimet e Qeverisë serbe ngjallin kujtime të dhimbshme të viteve ’80, kur të rinjtë u dërguan në kazermat e Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe shumë prej tyre humbën jetën në rrethana misterioze.
Dyzet e katër vjet më parë nipi i tij u thirr në ushtri. Pak muaj më vonë historia e Yzeir Sadikut u mbyll në heshtje.
Axha i tij, Sadik Sadiku, për Radio Evropën e Lirë ka kujtua se si 25-vjeçari nga Presheva u kthye i vdekur nga shërbimi ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), më 1982. Autoritet e kohës thanë se ishte “vetëvrasje”, familja nuk e pranoi kurrë këtë version.
“Mënyra e vdekjes është e çoroditshme krejt, që i habit njerëzit. Ata (eprorët) kinse e kanë marrë, jo kinse por është e vërtetë që e kanë marrë në biseda informative gjatë dhe maltretimet dihen në bisedat informative nga armata, nga shërbimi ushtarak i Armatës Jugosllave dhe sipas atyre Yzeiri paska hyr në WC dhe ka kërcyer prej katit të 4, nga të kërcyerit ai paska vdekur”, tha axha i Yzeirit për REL
Gjatë viteve ’80 dhe ’90, përçarjet etnike në Jugosllavi u thelluan. APJ-ja ktheu me arkivole dhjetëra të rinj shqiptarë nga Kosova dhe trevat e tjera. Një nga këto histori tragjike është edhe ajo e Abedin Krasniqit nga Kosova i cili humbi jetën më 1992.
“Vallahin shumë pak. Gati se nuk ka ditë që nuk qaj. Çka të bëj…nuk ka njeriu çfarë të bëjë”. U shpreh Mihane Krasniqi, nëna e Abedin Krasniqit për REL.
Organizatat për të Drejtat e Njeriut, si KMDLNJ, thonë se shumë ushtarë shqiptarë u vranë e jo vetëvranë, siç pretendojnë autoritet.
Sot, paralajmërimi për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi shkakton frikë te shqiptarët në jug të këtij vendi.
“Unë i kam tre nipa, të cilët janë të pjekur për ushtarë, por unë nuk i lëshoj”, tha axha i Yzeirit.
Ministri serb i mbrojtjes, Bratisllav Gashiq paralajmëroi se shërbimi i detyrueshëm ushtarak mund të fillojë vitin e ardhshëm.
Shërbimi do të prekë burrat nga 18 deri në 30 vjeç dhe do të zgjasë 75 ditë.
Frikën e shërbimit të detyrueshëm e ndan edhe deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi. Dyshon se qëllimi është ë boshatiset Lugina e Preshevës.
“Situata këtu është ligjërisht e qartë. Nëse merret ftesa për ushtri dhe ti e refuzon, atëherë pason ngritja e aktakuzës. Dhe me këtë, krahas pasivizimit (të adresave) dhe mosnjohjes së diplomave, që po shkaktojnë shpërngulje masive të të rinjve dhe zbarzje të Luginës së Preshevës, do të ishte mekanizmi i tretë administrativ-juridik, përmes të cilit Serbia do të ndikonte në shpopullimin e Luginës së Preshevës.
Kamberi dorëzoi në Kuvendin e Serbisë një propozim për komision të posaçëm për të zbardhur vdekjet e ushtarëve shqiptarë në APJ gjatë viteve ’80, por nuk është optimist për miratimin e tij.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq nuk iu përgjigjet pyetjeve të Radio Evropës së Lirë për këtë propozim.
As Ministria serbe e Mbrojtjes nuk dha informacione mbi vuajtjet dhe vdekjet e ushtarëve shqiptarë në APJ./Radio Evropa e Lirë.