“Mandati i parë punë e pak korrupsion, i dyti propagandë”/Zgjedhjet lokale në sytë e Xhavit Halitit

Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka komentuar zgjedhjet lokale dhe fushatën elektorale që po zhvillohet nëpër komuna.
Në një prononcim për IndeksOnline, Haliti ka thënë se kandidatët po hasin në një mospërfillje nga qytetarët, teksa mendon se ajo që iu duhet komunave është që asnjë kryetar të mos votohet më shumë se dy mandate.
“Zgjedhjet lokale duhet të mbahen, por siç po shihet, ka një mospërfillje nga qytetarët, ofertat janë të vakëta, elektorati i pa-elektrizuar, premtimet qumësht e mjeltë nga të gjithë.
Ajo që iu duhet komunave dhe elektoratit është: askush s’duhet të votohet më shumë se dy mandate” deklaroi Haliti.
Ai ka një sqarim interesant për këtë mendim të tij, duke e shtjelluar mandatin me punët që zhvillohen dhe tendencat e korrupsionit.
“Mandati i parë është punë e pak korrupsion, i dyti propagandë, pushtet i koncentruar, e i treti i gjithëpushtetshmi i korruptuar e që korrupton dhe që është i paprekshëm.
Sepse oligarkët e ndërtimit janë aksionerë, tenderagjinjtë janë aksionerë, zbatuesit e ligjit nënshtrohen, punonjësit e arsimit e të shëndetësisë janë patericë e kryetarit të komunës sepse Kadiu është mbi të gjitha” u shpreh ai.
Por zgjidhja për këtë, sipas Halitit, është e thjeshtë.
“Përfundimisht, ligjërisht, duhet rirregulluar funksionimi i pushtetit lokal dhe raportet e tij me pushtetin qendror, dhe duhet iniciuar rregullimi dhe edukimi i qytetarëve në raport me vënien e pushtetit lokal para përgjegjësisë në raport me nevojat e qytetarëve.”
Nga ana tjetër, Haliti ka komentuar edhe mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, nëse Kuvendi përfundimisht dështon të konstituohet.
“Kjo legjislaturë e ka humbur besimin para qytetarëve, edhe nëse konstituohen organet do mbetet legjislatura më e dobët e më e pabesueshme. Prandaj zgjidhja më e mirë është shpërndarja e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme” deklaroi Haliti./IndeksOnline/