Vrasje e dyfishtë në Greqi, një prej viktimave është shqiptar

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën turistike të Finikoundas në Mesini të Greqisë, ku dy persona janë gjetur të vdekur pranë një kampingu. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të pasdites së së dielës dhe ka vënë në alarm autoritetet greke, të cilat po hetojnë për zbardhjen e plotë të krimit, përcjell A2 CNN.
Sipas informacioneve të para nga protothema.gr, një nga viktimat është një shtetas grek, pronar i biznesit të kampingut, ndërsa tjetri është një punonjës me origjinë shqiptare, i cili punonte për të. Të dy u gjetën të qëlluar për vdekje jashtë ambienteve të kampingut, në një zonë të frekuentuar nga turistë.
Dëshmitarë nga vendngjarja i kanë treguar policisë se autori i dyshuar është një i ri, që iu afrua dy burrave dhe hapi zjarr nga afër, duke i lënë pa jetë në vend. Pas krimit, ai është larguar në drejtim të panjohur dhe forcat policore janë vënë menjëherë në ndjekje të tij.
Burime lokale bëjnë të ditur se pronari grek ishte sulmuar edhe më parë, por nuk kishte përmendur ndonjë person konkret si të dyshuar për ngjarjen e atëhershme. Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse vrasja lidhet me konflikte të mëparshme apo me motive të tjera personale ose ekonomike.
Ndërkohë, kampingu ku ndodhi ngjarja është në funksion dhe në të ndodhen aktualisht shumë pushues. Policia ka rrethuar zonën dhe po mbledh prova që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit. (A2 Televizion)