Nis sot viti i ri akademik, Rama ndan pamje nga Qyteti Studenti: Do të akomodohen afro 5 mijë studentë

Nis sot në të gjithë universitetet e vendit viti i ri akademik 2025-2026.
Nga rreth 20.200 maturantë, në rang vendi, 60% prej tyre kanë zgjedhur Universitetin e Tiranës për të ndjekur studimet, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar janë 160 studentë më shumë që kanë preferuar këtë institucion.
Me prioritet këtë vit janë parë degë si drejtësia, ekonomia si dhe ato të shkencave sociale.
Gjithashtu, interes i lartë po vërehet në shkencat e natyrës dhe teknologjinë e informacionit, të cilat ofrojnë perspektivë të gjerë punësimi dhe kërkim të aplikuar.
Megjithatë, sfidë mbeten programet e mësuesisë, ku interesi është më i ulët, duke reflektuar një prirje të maturantëve për të zgjedhur fusha të tjera më të lidhura me tregun e punës.
Një rritje e ndjeshme e regjistrimeve është parë dhe një degët profesionale me program 2-vjeçar studimi.

Në një postim në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama duke ndarë pamjr nga Qytetit studenti, njoftoi se këto godina do të akomodohen afro 5 mijë studentë të Universitetit të Tiranës, rreth 700 më shumë se vitin e kaluar.
“Mirëmëngjes dhe nga Qyteti Studenti, ku me nisjen e vitit të ri akademik do të akomodohen afro 5 mijë studentë të Universitetit të Tiranës, rreth 700 më shumë se vitin e kaluar, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama krahas fotove ku vërehen godinat e rikosntruktuar me kushte dhe salla studimi.