Familja e policit të vrarë në Zllatar kërkon drejtësi, polici i akuzuar thotë se i gjithë rasti e ka emrin “pakujdesi”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën në gjykimin ndaj të akuzuarit Fatlum Mehmeti, i cili po akuzohet për vrasjen e policit në Zllatar, në fjalën përfundimtare motra e të ndjerit, L.H, Laberije Haxholli tha se si familje duan të dinë pse u vra L.H., dhe kërkojnë drejtësii për të. Ndërkaq, i akuzuari Mehmeti tha se e gjithë ngjarja e ka emrin”pakujdesi”.
Në këtë rast, Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H, në një ndenjë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së, në Zllatar, në shkurt të vitit të 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim prokurori Arben Hoti, i cili tha se për çdo veprim të secilit individ përcaktohet edhe sanksioni penal dhe se gjykata duhet të ketë parasysh se Mehmeti kreu veprën penale sa ishte polic.
Sipas prokurorit Hoti, Gjykata përmes vendimit të vet duhet të ketë parasysh që të arrihet qëllimi i dënimit edhe te të tjerët, që në të ardhmen të mos paraqiten raste të ngjashme.
Po ashtu, prokurori Hoti tha se nga veprimet e Mehmetit është shkaktuar pasoja e ndaluar, se vdekja ka qenë e dhunshme si rezultat i predhës së armës së zjarrit.
Tutje, prokurori tha se Mehmeti në asnjë moment nuk është dashur që të manipulojë me armën zyrtare, por se edhe në rast të manipulimit do duhej që të kishte përgatitjen e mjaftueshme që të mos manovronte me armën e tij zyrtare.
Gjithashtu, prokurori Hoti tha se vdekja e L.H., ka ndodhur në një ambient të mbyllur dhe se në ditën kritike, si zyrtar policor, Mehmeti nuk do duhej të kishte armën zyrtare me vete në ahengun e organizuar.
Prokurori Hoti përmendi raste nga praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut se si edhe pse vrasja vie nga zyrtari policor, konstatohet se zyrtar policor duhet të veprojë me kujdes dhe se është i detyruar të parashikojë pasojat e mundshme që sjellë arma zyrtare e zjarrit.
Në fund, prokurori Hoti tha se arma zyrtare “Gllog” që e përdorin pjesëtarët e Policisë së Kosovës posedon tri siguresa dhe se nevoitet peshë prej 1.5 kilogramëve për ta shkrepur dhe se shkrepja nuk realizohet pa kalimin e tri siguresave, andaj Mehmeti nuk ka vepruar nga pakujdesia.
Fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha, i cili pyeti se si është e mundshme që vrasja në gjoks, të jetë pa e dashur pasojën.
Sipas avokatit Berisha, ka vrasje pa dashje me armën me tytë poshtë, por jo pikërisht në mes të gjoksit siç edhe u vra tani i ndjeri L.H.
Avokati Berisha tha se Prokuroria janë treguar përkëdhelës për të akuzuarin Mehmeti dhe se kualifikimin e veprimeve që Prokuroria ua ka dhënë është amnisti nga krimi real që ka ndodhur.
Berisha theksoi se as shkenca dhe as teoria nuk e njeh mundësinë se një zyrtar policor të përshkruajë veprimet e tij në detaje e të mos e di kur e ka drejtuar armën të ndjerit L.H.
Po ashtu, avokati Berisha tha se për herë të parë është dëgjuar nga mbrojtja e të akuzuarit se vënia e gishtit në këmbëz të armës ishte për të siguruar armën e jo për të gjuajtur.
Nga rikonstruimi i vendit të ngjarjes, sipas avokatit Berisha, është vërtetuar gjuajtja me armë drejt dhe jo siç ka pretenduar i akuzuari Mehmeti se nuk e ka goditur drejt me armë të ndjerin L.H.
Më tutje, avokati Berisha shtoi se nuk vlen të komentohen deklaratat e dëshmitarëve, por përmendi se si përfaqësues kanë tentuar të bindin një zyrtar policor, që ka qenë në momentin kritik e që ka sqaruar se mes tani të ndjerit L.H dhe Fatlumit ka pasur fjalosje.
Avokati Berisha gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare tha se i akuzuari Mehmeti edhe pse në arrest shtëpiak e ka thyer këtë masë.
Po ashtu, Berisha gjatë elaborimit përmes një fotografie ku shihej i akuzuari Mehmeti dhe një person tjetër që njëri-tjetrit në makinë ia kishin drejtuar armën, tha se nga i akuzuari pretendohej të mos llogaritej si provë e pranueshme, duke thënë se nuk ka lidhje me rastin.
Fjalë përfundimtare e paraqiti edhe motra e të ndjerit L.H., Laberije Haxholli e cila tha se ende sot nëna e të ndjerit dhe gjithë familjarët duan të dinë arsyen e vrasjes së L.
Haxholli tha se çdo ditë zgjohen me shpresën që të mos harrojnë zërin e të ndjerit, duke përshkruar se tani i ndjeri çdo mëngjes zgjohej me vullnet për të veshur rrobat e zyrtarit policor, e për t’i shërbyer vendit.
E njëjta tha se kanë respektuar procesin gjyqësor dhe se nuk kanë zgjedhur rrugën e hakmarrjes por atë të drejtësisë në Gjykatë përmes provave dhe fakteve, për siç tha ajo, një jetë që u ndërpre në gjysmë.
“Ne emër të familjes së tij dhe krejt njerëzve që e kanë dashtë, na s’po kërkojmë hakmarrje, na po kërkojmë veç drejtësi për një jetë që u ndërpre në gjysmë, që ka meritu me jetu, që u vra derisa ishte ulur pa i ba gja askujt”, tha e dëmtuara Haxholli.
Më pas, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim edhe mbrojtësi i Mehmetit, avokati Labinot Buzuku. Ai tha se edhe në emër të familjes Mehmeti, shprehin ngushëllime për të ndjerin.
Avokati Buzuku tha se i akuzuari Mehmeti tani të ndjerin e kishte shok të ngushtë dhe besnik. Tha se edhe vetë i akuzuari ka përjetuar tronditje nga ngjarja që ka ndodhur.
Sipas avokatit Buzuku, në rastin konkret nuk flitet për vrasje me dashje eventuale, por nga pakujdesia dhe se tani i ndjeri nuk është qëlluar në gjoks siç pretendoj avokati Berisha, por në pjesën e kraharorit.
Avokati tha se në momentin kritik, nga dëshmitarët është kuptuar se ka mbizotëruar gëzimi dhe jo grindja, dhe se askush nga zyrtarët policorë nuk e ka dashur pasojën e shkaktuar, por mbetën të tronditur për rastin në fjalë.
Në fund, Buzuku tha se Gjykata duhet të vendos në bazë të provave dhe jo emocioneve.
Vetë i akuzuari Mehmeti, tha se nuk qëndron ajo çka avokati Berisha e pretendoi për arrestin shtëpiak. Tha se në plotni e ka respektuar këtë masë. Sipas tij, i gjithë rasti ka një emër dhe ajo është “pakujdesia”.
Sipas të akuzuarit Mehmeti, vdekja e L.H., është dënimi më i madh që ka marrë dhe se gjatë prezantimit në gjykim, të kundërshtimeve nga ana e tij, nuk ka qenë ideja te qëllimi i dënimit, por që të tregojë të vërtetën vazhdimisht.
Më pas, gjykimi u shpall i përfunduar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ertan Sejfulla- kryetar dhe anëtarët: Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi.
Ndryshe, i akuzuari Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale” kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.
Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, ElitThaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimidhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.
Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.