75 Mall Live Search
15:50 / E Martë, 07 Tetor 2025 / H F

Miftaraj: Kosova s’duhet të kthehet në “parking” për të burgosurit e BE-së

Belgjika po shqyrton mundësinë për të transferuar të dënuarit e saj në një burg të ndërtuar në Kosovë.

Diskutimi për marrëveshje të tilla bilaterale të ngjashme me atë që Kosova tashmë ka nënshkruar me Danimarkën, po ngjall shqetësime në mesin e organizatave që mbikëqyrin sundimin e ligjit.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thekson se një marrëveshje e tillë do ta zvogëlonte Kosovën në një zonë funksionale për interesa të huaja penale, duke kompromentuar sistemin ligjor dhe etik të vendit.

Miftaraj paralajmëron se pas këtyre iniciativave qëndron një logjikë financiare që e redukton sistemin korrektues në një projekt ekonomik për të përfituar nga vendet e BE-së me burgje të mbingarkuara.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi në kuadër të misionit dhe vizionit të tij ka promovimin e parimeve dhe standardeve të sundimit të ligjit dhe të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë drejtim, IKD e kundershton çdo iniciative apo politike që transferimin e të burgosurve apo të denuarve  të huaj nga shtetet e BE në Kosovë e trajton si çeshtje për përfitime ekonomike nga cilido shtet.”, tha Miftaraj në një prononcim për IndeksOnline.

Duke iu referuar marrëveshjes ekzistuese me Danimarkën, Miftaraj thotë se Kosova nuk duhet të vazhdojë të diskutojë për marrëveshje të ngjashme me shtete të tjera.

“Për më tepër institucionet në Kosovë në asnjë rrethane nuk do duhej që pas Danimarkes të diskutojne me shtete tjera lidhjen e marreveshjeve të tilla. Kosova nuk mund dhe nuk do të duhej në asnjë rrethanë te kthehet në parking apo sinonim i një shteti me persona të denuar nga shtetet e BE.”, theksoi ai.

Ai nënvizon se Kosova nuk i ofron kushtet e nevojshme për të garantuar respektimin e plotë të të drejtave të të dënuarve të huaj, siç kërkojnë konventat ndërkombëtare.

“Personat e denuar që do të transferoheshin në Kosovë pa dyshim se nuk do kishin mbrojtjen e duhur qoftë juridike apo një ambient ku do të mund të realizonin të drejtat dhe liritë e tyre, qoftë përmes kontaktit me familjarë, ri-socializimit apo formave tjera të rehabilitimit adekuat”, theksoi ai.

Në përfundim, Miftaraj apelon për maturim institucional dhe kërkon që interesat afatshkurtra ekonomike të mos mbizotërojnë mbi të drejtat themelore dhe integritetin e sistemit ligjor në Kosovë.

Ndryshe, sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden si dhe Ministren e Azilit dhe Migracionit, si dhe e Integrimit Social, Anneleen Van Bossuyt.

Vizita ka për qëllim diskutimin e trajtimit të mbipopullimit të burgjeve dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Për të lehtësuar mbipopullimin kronik të burgjeve belge, qeveria po shqyrton mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimit të një burgu jashtë vendit për personat e dënuar që nuk janë rezidentë në Belgjikë. Gjatë vizitës në Shqipëri dhe Kosovë, ministrat do të zhvillojnë bisedime eksploruese për këtë ide, raporton Belga News Agency./IndeksOnline/