Memli Krasniqi: PDK ka abstenuar në votimin për nënkryetarin nga komuniteti serb, duhet të gjendet mekanizmi për zgjedhje të reja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se PDK ka abstenuar në votimin për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Sipas Krasniqit, çështja nëse Kuvendi është konstituar apo jo ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa shtoi se mbetet të shihet nëse institucioni do të funksionojë tutje.
“Ne kemi abstenuar në votim për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb. Është konstituar apo jo Kuvendi, kjo çështje nuk ka marrë ende një vendim të prerë. Mbetet të shihet nëse do të funksionojë tutje”, deklaroi Krasniqi.
Kryetari i PDK-së theksoi se për partinë që ai udhëheq është e rëndësishme që të rrjedhin afatet për formimin e Qeverisë, ndërsa shtoi se vendi duhet të gjejë mekanizmin ligjor që ta dërgojë në zgjedhje sa më shpejt.
“Konstatimi i kryetarit për ne është valid. Për ne është e rëndësishme që të rrjedhin afatet për formimin e Qeverisë. Dhe mendoj se duhet të gjejmë mekanizmin që na dërgon në zgjedhje sa më shpejt”, ka përfunduar Krasniqi.