Von der Leyen në Tiranë: Shqipëria në rrugën e duhur drejt BE-së, keni bërë progres

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ndodhet në Tiranë në kuadër të turit të saj ballkanik dhe për të marrë pjesë në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor. Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ajo vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Shqipëria në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Ne të gjithë themi se kushti i zgjerimit bazohet në merita dhe Shqipëria i ka të gjitha meritat. Është një proces normal dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me reformat për integrimin në BE. Për mua është impresionuese të shoh progresin këto 2-3 vite. Populli shqiptar dëshiron integrimin në BE dhe kupton që këto reforma janë për ne, për të forcuar demokracinë dhe për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Përmenda gjithashtu SEPA-ja, roaming-un dhe planin e rritjes, që po funksionon mjaft mirë. Prandaj mund të them se jam e impresionuar nga reformat. Deri në vitin 2027, Shqipëria mund të bëhet pjesë e BE-së”, tha Von der Leyen.
Ajo shtoi se është një kënaqësi të kthehet sërish në Shqipëri dhe të nisë turin e saj nga Tirana.
“Shqipëria ka bërë progres të mrekullueshëm, me shpejtësi rekord në tre vitet e fundit. 5 nga 6 kapitujt janë hapur dhe të fundit do të hapen këtë vjeshtë. Qëllimi është mbyllja e negociatave brenda vitit 2027. Momenti gjeopolitik është i rëndësishëm, dhe Shqipëria ka bërë zgjedhjen e saj të qartë për t’u përputhur plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Plani i rritjes, i lançuar dy vite më parë, ka hapur dyert e tregut të vetëm për kompanitë shqiptare dhe evropiane, duke krijuar një situatë të përfitueshme për të dyja palët dhe potencial për dyfishim të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë dekadë”, tha Von der Leyen.