“Ishte unike”, Woody Allen i jep lamtumirën artistes

Diane Keaton, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në film dhe një boshllëk në zemrën e atyre që e dashuruan, përfshirë regjisorin dhe ish-partnerin e saj, Woody Allen.
Në një ese emocionuese të botuar nga The Free Press, Woody Allen ka ndarë dhimbjen dhe kujtimet për bashkëpunëtoren e tij më të ngushtë dhe dashurinë e dikurshme.
“Është gramatikisht gabim të thuash ‘më unike’, por të gjitha rregullat, përfshirë ato të gramatikës, bien kur bëhet fjalë për Diane Keaton,” shkruan Allen. “Ajo ishte një qenie ndryshe nga çfarë ka njohur ndonjëherë planeti. Fytyra dhe e qeshura e saj ndriçonin çdo hapësirë ku hynte.”
Allen kujton momentin kur e takoi për herë të parë Keaton në një audicion për shfaqjen e tij “Play It Again, Sam” në vitin 1969, një takim që çoi në një lidhje romantike dhe bashkëpunim artistik që do të shënjonte kinemanë amerikane.
“Ajo ishte aq magjepsëse dhe e veçantë, sa mendova se po humbja mendjen. A është e mundur të dashurohesh kaq shpejt?” – shkruan ai.
Lidhja e tyre zgjati disa vite, por ndikimi i Keaton tek Allen ishte i pamatshëm.
“Nuk kam lexuar kurrë asnjë recension për punën time. Më interesonte vetëm çfarë mendonte Keaton,” rrëfen regjisori. “Nëse asaj i pëlqente një film, për mua ishte sukses. Nëse jo, e rieditoja.”
Keaton ishte ylli i tetë filmave të Allen, përfshirë kryeveprën “Annie Hall”, për të cilën fitoi edhe çmimin Oscar për Aktoren më të Mirë.
“Vetëm Zoti dhe Freud mund të shpjegojnë pse nuk funksionoi mes nesh si çift,” shkruan Allen me ironi.
Diane Keaton u shqua jo vetëm si aktore brilante, por edhe si ikonë stili. Allen e përshkruan si një “vajzë e thjeshtë, që u shndërrua në një ikonë të sofistikuar”.
“Pak ditë më parë, bota ishte një vend ku ekzistonte Diane Keaton. Tani, jo më. Dhe kjo e bën botën më të zymtë,” përfundon ai.
Pavarësisht ndarjes së tyre si çift, marrëdhënia e tyre e veçantë vazhdoi gjatë gjithë jetës. Në vitin 2017, Allen e nderoi personalisht Keaton gjatë ceremonisë së Çmimit të Jetës AFI, duke deklaruar:
“Shumë nga ato që kam arritur në jetë, i detyrohem asaj. Ajo është e jashtëzakonshme.”
Keaton ndërroi jetë të shtunën në Kaliforni, njoftoi familja e saj, pa dhënë detaje mbi shkakun e vdekjes. Miqtë thonë se shëndeti i saj “u përkeqësua papritur” gjatë muajve të fundit.
Aktorja u pa për herë të fundit në publik gjatë një shëtitjeje për festa në fund të vitit 2024.