Kompania që mashtroi KQZ-në futet në listë të zezë për tenderin asgjësimin e materialeve zgjedhore

Procesi i asgjesimit të materialeve zgjedhore, i konsideruar si një nga fazat më të ndjeshme pas përfundimit të zgjedhjeve, është shoqëruar me probleme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) që të futet në listën e zezë kompania “XHITI”, e cila më herët kishte fituar tenderin për asgjesimin e këtyre materialeve.
Por sipas KQZ-së, kompania “XHITI” kishte dështuar gjatë procesit të realizimit të kontratës, duke mos përmbushur kushtet dhe kriteret e parapara. KQZ-ja ka kërkuar nga Gjykata e tenderëve që kompania të diskualifikohet.



Kërkesa e KQZ-së është miratuar nga OSHP-ja, e cila ka marrë vendim për ta futur kompaninë “XHITI” në listën e zezë, duke ia pamundësuar përkohësisht pjesëmarrjen në proceset e prokurimit. Pas kësaj, KQZ-ja ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Pro Building”, e cila kishte ofertën e dytë më të favorshme në tender.
Sipas të dhënave zyrtare, “Pro Building” është kompani përgjegjëse, me vlerë të kontratës prej 2,459 euro, për realizimin e punës së asgjesimit të materialeve zgjedhore.
