75 Mall Live Search
10:52 / E Enjte, 16 Tetor 2025 / F.R

Sulmet ruse shkaktojnë ndërprerje të prodhimit të gazit në Ukrainë

Forcat ruse kanë goditur një tjetër ndërtesë për prodhimin e gazit në lindje të Ukrainës mëngjesin e 16 tetorit, duke detyruar ndërprerjen e prodhimit dhe duke shtuar presionin mbi rrjetin energjetik.

Që kur ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës, më 2022, Moska ka sulmuar infrastrukturën ukrainase çdo dimër, duke e detyruar Kievin që të aplikojë reduktime të energjisë elektrike dhe të importojë energji.

“Si rezultat i sulmit, ndërtesat për prodhimin e gazit në rajonin e Potlavës janë mbyllur”, tha DTEK-ja, shpërndarësi më i madh privat i energjisë në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia gjatë natës ka lëshuar mbi 300 dronë, përfshirë edhe disa që bartnin municione thërrmuese, si dhe 37 raketa.

“Këtë vjeshtë, rusët çdo ditë po e shfrytëzojnë për të sulmuar infrastrukturën tonë të energjisë”, tha ai.

Operatori ukrainas i rrjetit energjetik njoftoi për ndërprerje emergjente të energjisë në tetë rajone pas sulmeve të së enjtes.

Raportimet e mëhershme të mediave sugjeruan se rreth 60 për qind e prodhimit të gazit në Ukrainë është ndërprerë për shkak të sulmeve të fundit ruse, ndërsa sulmet ndaj centraleve elektrike kanë lënë pa energji qindra mijëra persona në Ukrainë.

Sulmi i 16 tetorit vjen një ditë pasi kompania shtetërore e energjisë, “Naftogaz” tha se një nga centralet termike ishte dëmtuar gjatë një sulmi të mëhershëm rus në Harkiv, Sumi dhe Çernihiv.

Kremlini pretendon se forcat e tij sulmojnë vetëm ndërtesa ushtarake.

Gjykata Ndërkombëtare Penale vitin e kaluar lëshoi një fletarrestim ndaj dy oficerëve të lartë rusë lidhur me sulmet ndaj ndërtesave energjetike të Ukrainës, duke thënë se këto sulme përbëjnë “krime të luftës” dhe kishin shkaktuar dëme “të mëdha” ndaj civilëve.

Kievi u ka bërë thirrje aleatëve të tij që t’i japin më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur infrastrukturën kritike, por edhe për të kryer sulme hakmarrëse ndaj rafinerive të naftës në Rusi./REL/