Përfundon verifikimi i rezultateve dhe numërimi i votave në të gjitha komunat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur të gjitha aktivitetet në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit në Kosovë, në një afat prej gjashtë ditës pas ditës së zgjedhjeve.
Qendrat Komunale të Numërimit, që njëkohësisht janë më të mëdhatë në vend, Prishtina dhe Prizreni, të shtunën në mbrëmje kanë përmbyllur verifikimn e rezultateve të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga Kuvendet Komunale, si dhe kanë numëruar votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë se gjatë këtyre gjashtë ditëve, në 38 QKN, janë procesuar 5,142 kuti votimi, nga 2,571 për secilin lloj të zgjedhjeve.
“Duke u mbështetur në informacionet nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri rreth orës 24:00 të ditës së shtunë, janë verifikuar rezultatet për 2,571 vendvotime të rregullta nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjetet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,571 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 2,571, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, në këtë proces, në QKN, janë procesuar 5,142 kuti votime që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve”, tha Elezi.
Sipas tij, progresi i përmbylljes së aktiviteteve ka qenë i ndryshëm gjatë javës së parë pas ditës së zgjedhjeve.
“Aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat filluan pas ditës së zgjedhjeve të 12 tetorit, janë përmbyllur në 38 komunat, sipas ditëvë në vazhdim: Hani i Elezit (e hënë, 13 tetor), Junik, Mamushë, Zveçan, Ranillug, Partesh (e martë, 14 tetor), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë, 15 tetor), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri (e enjte, 16 tetor), Gjakovë, Graçanicë dhe Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë, Kllokot, Leposaviq (e premte, 17 tetor), Gjilan, Malishevë, Prizren dhe Prishtinë (e shtunë, 18 tetor)”, ka njoftuar ai.
Elezi ka prezantuar edhe të dhënat nga progresi në numërimin e votave jashtë Kosovës, numërim i cili ka filluar të premten pasdite dhe pritet të përfundojë të hënën.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vijuar dita e tretë e numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Deri të dielën në orën 10:00, janë numëruar 54 kuti në të cilat janë të vendosura pakot me fletëvotime të supozuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komumnave dhe 45 kuti të tjera nga zgjedhjet për Kuvende Komunale”, tha ai.