Ende pa numëruar votat me postë për Drenas, Istog, Podujevë, Lipjan, Ferizaj dhe Partesh

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon dita e katërt e procesit të numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë nga diaspora, një proces që po afrohet drejt përfundimit.
Megjithatë, ende nuk janë numëruar votat e ardhura për komunat e Drenasit, Istogut, Podujevës, Lipjanit, Ferizajt dhe Parteshit, ku pritet që rezultatet përfundimtare të ndikojnë në bilancin e garës për kryetarë dhe asamble komunale, transmeton IndeksOnline.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se deri sot në orën 10:00 janë numëruar 104 kuti me fletëvotime për kryetarë komunash dhe 93 kuti për kuvendet komunale.
“Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, të realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025. Nga gjithsej 33,841 pako të supozuara, janë aprovuar 29,636, ndërsa janë refuzuar 3,977 për mungesë dokumentacioni, kryesisht dëftesa të regjistrimit”, deklaroi Elezi.
Sipas KQZ-së, numërimi i votave të diasporës pritet të përfundojë brenda orëve në vijim, ndërsa më pas do të nisë procesi i verifikimit të rezultateve përfundimtare për të gjitha komunat.