Barcelonës do t’i mungojnë dy yje ndaj Olympiacosit

Barcelona do të kthehet në aksion në Ligën e Kampionëve të martën, kur do të presë Olympiacosin në “Estadi Olímpic Lluís Companys”, por skuadra katalanase do ta bëjë këtë pa disa nga lojtarët më të rëndësishëm.
Joan Garcia, Gavi, Dani Olmo dhe Robert Lewandowski janë tashmë të konfirmuar si mungesa, ndërsa dy futbollistë të tjerë pritet pothuajse me siguri të mos jenë të gatshëm.
Në javët e fundit, Barcelona ka qenë pa Raphinhan, i cili pësoi një dëmtim në kofshë gjatë fitores së muajit të kaluar ndaj Real Oviedos.
Fillimisht ishte shpresuar që braziliani të rikthehej për ndeshjen e radhës, por ai ende nuk ka marrë “dritën jeshile” nga stafi mjekësor.
Sipas “Sport”, Raphinha ende nuk është rikthyer në stërvitjet me grupin dhe mungoi edhe në seancën e së hënës, duke vazhduar punën individuale për rikuperim.
Ai nuk është i vetmi në këtë situatë.
Raportimi konfirmon gjithashtu se edhe Ferran Torres – i cili vuan nga një dëmtim i ngjashëm – pritet të mungojë kundër Olympiacosit.
Edhe ai nuk është bashkuar ende me grupin, ndaj trajneri Hansi Flick nuk pritet ta rrezikojë për ndeshjen e Championsit.
Fillimisht ishte besuar se mungesa e Ferranit kundër Gironas ishte vetëm për arsye përkujdesi, por tashmë duket se dëmtimi është më serioz se mendohej.
Rikthimi i tij për “El Clásico” nuk është më i sigurt, gjë që përbën një goditje të madhe për Barcelonën, sidomos me Lewandowskin që tashmë është jashtë.
Mungesat e Raphinhas dhe Ferranit e lënë Barcelonën me shumë pak opsione në sulm për përballjen ndaj Olympiacosit.
Lamine Yamal pritet të jetë i gatshëm pasi luajti 60 minuta kundër Gironas, ndërsa edhe Fermín López është në dispozicion pas paraqitjes së tij në pjesën e dytë.
Roony Bardghji pritet të luftojë për një vend titullari, ndërsa Marcus Rashford është lojtari i fundit me përvojë që Flick mund të llogarisë në sulm.
Në rast nevoje, trajneri gjerman mund të detyrohet sërish të përdorë Ronald Araujon si sulmues të improvizuar.