Reagon Barcelona pas vendimit për mosluajtjen e ndeshjes ndaj Villarrealit në SHBA
Ndeshja Villarreal-Barcelona nuk do të luhet në SHBA.
Kjo erdhi pas shumë kritikave nga klubet e tjera spanjolle, të cilët protestuan kundër vendimit të Federatës spanjolle për ta lejuar këtë gjë.
Dhe Barcelona, doli me një komunikatë zyrtare në faqen e tyre rreth këtij vendimi:
“Barcelona respekton dhe pranon vendimin për të anuluar ndeshjen kundër Villarreal në Miami që korrespondon me javën e 17-të të La Liga-s, në të njëjtën mënyrë që Klubi pranoi dhe respektoi vendimin e marrë në të kaluarën për ta luajtur ndeshjen në SHBA. FC Barcelona shpreh keqardhje për mundësinë e humbur për të zgjeruar imazhin e garës në një treg strategjik me një kapacitet të madh për rritje dhe gjenerim burimesh për të gjithë. Klubi është mirënjohës për mbështetjen dhe dashurinë e pakushtëzuar të tifozëve tanë në SHBA dhe shpreh keqardhje të thellë që atyre u mohohet mundësia për të parë një ndeshje zyrtare në vendin e tyre”, thuhej në njoftim e Barcelonës në faqen e tyre zyrtare.
Tashmë kjo ndeshje e cila është e paraparë të zhvillohet në dhjetor, do të luhet në “Estadio de la Ceramica” të Villarrealit, ashtu siç ishte planifikuar./IndeksOnline/

