75 Mall Live Search
11:24 / E Enjte, 23 Tetor 2025 / SH

Aktakuzë ndaj turkut që vrau me thikë vajzën e tij në Prizren, e fali namazin dhe e preu vajzën në fyt

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.G., (shtetas turk), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale: “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar. 1.3 e lidhur me pikën 1.11, sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, më 06 maj 2025, rreth orës 05:30 të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, në banesën ku i pandehuri jetonte bashkë me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes, përkatësisht vajzën e tij, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit, menjëherë pas kryerjes së ritualit të faljes së namazit, i pandehuri me dashje ka marrë një thikë kuzhine me gjatësi të tehut rreth 23 centimetra, të cilën familja e përdorte për prerjen e mishit dhe niset në drejtim të sallonit të banesës, ku ishin duke fjetur vajzat e tij, viktima SH.G., dhe e dëmtuara A.R.

I pandehuri, duke shfrytëzuar momentin kur vajzat ishin në gjumë, afrohet pranë shtratit dhe e sulmon me thikë viktimën Sh.G., duke e prerë në qafë.

Në momentin kur viktima SH.G., fillon të bërtasë zgjohet nga gjumi e dëmtuara -vajza tjetër A.G., e cila tenton ta pengojë të pandehurin në veprimet e tij. I pandehuri më pas e godet edhe atë me të njëjtën thikë, duke i shkaktuar plagë prerëse dhe shpuese në të dy anët e qafës. Nga klithmat e vajzave zgjohet edhe bashkëshortja e tij, R.G., e cila hynë në sallon dhe tenton ta ndalojë të pandehurin, gjatë së cilës pëson lëndime në fytyrë dhe në dorën e majtë.

Pas një përleshjeje të shkurtër, e dëmtuara R.G., ka arrinë ta shtyjë të pandehurin në dhomën e gjumit, ku e mbyll dhe bllokon derën me orendi, duke siguruar kështu mundësinë për të telefonuar për ndihmë.

Ndërkaq, si pasojë e plagëve të marra, viktima SH.G., ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, i pandehuri M.G., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.