Zbulohet një vezë dinozauri 70 milionë vjeçare, është në gjendje perfekte
Një grup paleontologësh argjentinas kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm në rajonin e pasur me fosile të Río Negro-s: një vezë dinozauri e ruajtur në gjendje pothuajse perfekte, e cila daton rreth 70 milionë vjet më parë, shkruan A2 CNN-i.
“Është një surprizë e plotë”, tha Gonzalo Leonel Muñoz, paleontolog në muzeun argjentinas të shkencave natyrore “Bernardo Rivadavia”, për National Geographic-un. “Fosilet e dinozaurëve gjenden shpesh, por vezët janë shumë më të rralla dhe kjo është në gjendje spektakolare”.
Fotot e publikuara nga Laboratori i Anatomisë Krahasuese dhe Evolucionit të Vertebrorëve (LACEV) tregojnë drejtuesin e ekipit, anatomistin e njohur Federico Agnolín, duke mbajtur vezën që duket sikur është e zier, për shkak të ruajtjes së jashtëzakonshme. Sipas tyre, kjo është ndoshta gjetja e parë e këtij lloji në Amerikën e Jugut dhe madje pranë vezës u gjet edhe një fole e plotë.
Studiuesit besojnë se veza i përkiste Bonapartenykus, një dinozaur i vogël mishngrënës (teropod) që jetoi gjatë periudhës së vonë Kretake. “Zakonisht gjejmë vezë të dinozaurëve barngrënës, si sauropodët me qafa të gjata, por kjo ka formë sferike dhe guaskë më të trashë”, shpjegon Muñoz.
Gjetja është veçanërisht e rrallë pasi vezët e dinozaurëve mishngrënës janë më delikate, për shkak se këto specie janë paraardhësit e zogjve, ndaj guaskat e tyre janë më të holla e të brishta.
Veza, me madhësi të ngjashme me një embrion struci, do të dërgohet në Muzeun Argjentinas të Shkencave Natyrore për analiza të detajuara. Shkencëtarët do të kryejnë skanime për të parë nëse brenda saj ruhet ende një embrion, gjë që do të mund të ndihmonte në përcaktimin e saktë të llojit dhe në kuptimin më të thellë të evolucionit të dinozaurëve drejt zogjve modernë.
“Nëse është vërtet një dinozaur mishngrënës, mund të mësojmë shumë për mënyrën si janë zhvilluar vezët e tyre dhe si kanë lindur zogjtë”, shtoi Muñoz. “Çdo informacion që do të na japë kjo vezë do të jetë unik dhe tepër i vlefshëm”.
Ndërsa për momentin nuk ka të dhëna nëse mund të nxirret ADN nga guaska, shkencëtarët e quajnë këtë një nga zbulimet më të rëndësishme paleontologjike në Amerikën e Jugut në vitet e fundit./Indeksonline/

