IPK arreston një zyrtar policor, dyshohet për dhunë në familje
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur më 24 tetor 2025 në Prishtinë kurse hetuesit e IPK-së pas pranimit të informacionit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor (i angazhuar në kuadër të Departamentit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës) është suspenduar nga Policia e Kosovës me rekomandim të IPK-së.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

