75 Mall Live Search
17:37 / E Diele, 26 Tetor 2025 / H F

Elbert Krasniqi sqaron pse nuk u propozua për ministër, akuzon Veton Berishën

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas mosvotimit të Qeverisë “Kurti 3” në seancën e së dielës, duke e quajtur ditën e sotme humbje për Kosovën dhe për komunitetin egjiptian.

Ai në një postim në Facebook, ka akuzuar deputetin e komunitetit egjiptian, Veton Berisha, për veprim të motivuar nga “ego personale”.

Sipas Krasniqit, ndonëse emri i tij nuk ishte përfshirë në propozimin e kabinetit të ri, Veton Berisha refuzoi ta votojë Qeverinë edhe pse ishte propozuar një ministër tjetër apartiak nga komuniteti egjiptian.

Postimi i tij i plotë:

Sot humbi Kosova, humbi edhe komuniteti egjiptian.

Mosvotimi i Qeverisë Kurti 3 është zhgënjyes për të gjithë ata që kanë besuar në bashkëpunim, mbështetje dhe respekt të ndërsjellë.

Qeveria Kurti 2 ka qenë një aleat i sinqertë i komuniteteve pakicë, duke dëshmuar me vepra se barazia nënkupton dyanëshmëri.

Në propozimin e kabinetit qeveritar sot nuk ishte emri im, si një mundësi për të marrë edhe votën e Veton Berishës. I motivuar nga inati e ego personale, veq emrit tim, ai rrefuzoi poashtu edhe një ministër tjetër apartiak nga komuniteti egjiptian, duke insistuar vetëm në vetën e tij.

Kësisoji, ai tashmë po i rikthehet stilit të tij të njohur politik, atij të pazareve dhe shantazheve që e kemi mësuar që nga viti 2014.

Është koha e fundit të mësojmë se vendi duhet të jetë para të gjithëve, komuniteti para partisë, qytetari para politikës.

Çdo kalkulim tjetër nuk na sjell as fuqi, as dinjitet – vetëm humbje.

Në zgjedhjet e reja, komuniteti përmes votës do ta jap përgjigjen që ti e meriton, njejtë siç të janë përgjigjë për mosvotimin e qeverisë Kurtin 1 me 3 shkurt 2020 dhe votës për rrëzimin e qeverisë Kurti 1 më 25 mars 2020.