75 Mall Live Search
14:53 / E Hënë, 27 Tetor 2025 / S Z

Ankesat për rritje të çmimeve të barnave, Haxhijaha: Ministri e prezentoi në mënyrë të gabuar procesin e unifikimit të çmimeve gjatë fushatës

Me ngritjen e çmimit të barnave kanë vazhduar dhe ankesat e qytetarëve.  Qytetarët ankohen se me unifikimin e çmimeve të barnave,  është bërë dhe ngritja e çmimit të tyre.

Por nënkryetari  i Odës së Farmacistëve të Kosovë (OFK) Astrit Haxhijaha tha për Indeksonlinen se ka ankesa për ngritje të çmimeve dhe se e gjithë kjo vjen si rezultat i informimit të gabuar nga ministri në detyrë të shëndetësisë, i cili gjatë fushatës zgjedhore u tha qyetarëve se me unifikimin e çmimeve, do të bjen çmimi i barnave. Ai thotë se çmimet e barnave përcaktohen në bazë të shteteve referente.

“Është e vërtetë që ka rritje të çmimeve të barnave. Dhe e gjithë kjo duke u respektuar procedurat e formularit të aplikimit për deklarim dhe për rideklarim të çmimeve. Çdoherë duke u bazuar në çmimet e shteteve referente, duke filluar nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia po dhe vendi i origjinës. Unifikimi i çmimeve të barnave nuk do të thotë ulje apo ngritje e çmimeve,  por çmimet në banderola të jenë të njëjta në të gjitha barnatoret në Kosovë. Situata momentale është krijuar pasi që gjatë fushatës elektrorale nga ministri i Shëndetësisë në detyrë,  është prezantuar në mënyrë të gabuar porcesi i unifikimit të  çmimeve, duke u thirrur që me unifikim ne do t’i ulim çmimet. Kurse në realitet kemi ngritje dhe ulje të çmimeve. Çmimet e barnave përcaktohen në bazë të shteteve referente, jo sipas dëshirës”, thotë Haxhijaha.

Ndërsa thekson se  procesi i unifikimit të çmimeve të barnave kërkon një periudhë më të gjatë kohore dhe se për momentin gjendet në fazën e rideklarimeve të çmimeve për vitin e ardhshëm.

“Komisioni për përcaktimin e çmimeve po e kryen punen shumë mirë dhe shpresojmë që të vazhdojë pasi që është në fazën e parë të zbatimit të këtij procesi kur ka filluar në shkurt. Por instruksionet e ministrit në detyrë ka qenë tepër të gabuara”, tha ai.

Haxhijaha thotë se Ligji për unifikimin e çmimit të barnave po zbatohet në tërësi, sa i përket barnatorëve të licencuara në Kosovë.

“Po zbatohet në tërësi sa i përket barnatoreve të licencuara në Kosovë. Mirëpo ky proces kërkon një periudhë pak më të gjatë dhe  MSH-ja së bashku me Agjencinë e Barnave, janë duke i shtypur banderolat dhe kërkon një periudhë pak më të gjatë. Kjo  situatë ka ardhur vetëm për shkak se  procesit që është prezantuar në mënyrë të gabuar. Ne  do t’i ulim 10 fish çmimet. Nuk mund të thuhet se unifikimi i çmimit të barnave të përmendet ulje apo ngritje, këtë e përcaktojnë shtete referente dhe jo Ministria e Shendetësisë”, tha Haxhijaha.

Megjithëse ka ankesa të shumta nga qytetarët, Haxhijaha thotë se ky proces është jetik për sektorin e farmacisë dhe se unifikimi i çmimit të barnave duhet të bëhet.

“Ne kemi pranuar ankesa për ngritje të çmimeve. Ne duhet  ta kuptojmë se ky është një proces jetik për sektorin e farmacisë dhe kjo duhet të bëhet. Do të ketë ulje dhe ngritje të çmimeve”, tha Haxhijaha./Indeksonline/.