Tërmeti 6.1 rihter në Turqi, u ndjenë 330 paslëkundje, 26 të plagosur
Mbi 300 pas lëkundje janë ndjerë në Turqi pas tërmetit me magnitudë 6.1 Rihter. Tërmeti me epiqendër në qytetin Balıkesir u ndje të hënën në mbrëmje. Nga tërmeti janë plagosur 26 persona të cilët kanë marrë plagë teksa largoheshin nga vendi ku ndodheshin.
Siç është njoftuar nga Shërbimi Sizmologjik Turk, tërmeti me magnitudë 6.1 Rihter që ndodhi në orën 22:48 të hënën në mbrëmje u ndje në shumë provinca, duke përfshirë Balıkesir, Izmir, Bursa, Stamboll, Tekirdag, Kocaeli dhe Sakarya.
Pas tërmetit u regjistruan gjithsej 330 lëkundje pasuese gjatë një periudhe prej afërsisht 13 orësh, nga ora 22:48 e djeshme deri në orën 11:00 të sotme. 12 lëkundje pasuese janë regjistruar me magnitudë 4 ose më të lartë.
Në zonën ku ndodhi tërmeti, 26 qytetarë u shtruan në spital me lëndime të lehta, ndërsa Ministri i Brendshëm turk njoftoi se të gjithë janë larguar tashmë nga spitali. Operacioni i ngritur për t’u përballur me pasojat e tërmetit përfshin 1,204 persona nga shërbime të ndryshme turke.

